Zonja e Parë, një mesazh dashurie vendit nga Shtëpia e Bardhë

Amerika

Zonja e Parë, një mesazh dashurie vendit nga Shtëpia e Bardhë

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 22:09
Shtëpia e Bardhë

Të premten herët në mëngjes Presidenti amerikan Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden zhvilluan një shëtitje të papritur në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë për të parë dekorimet me rastin e Ditës së Shën Valentinit. Dekorimet e vendosura aty nga Zonja e Parë i dërgojnë vendit një mesazh shprese.

Presidenti dhe Zonja e Parë, me filxhanë kafeje në duar e dy qentë e tyre, përshkuan lëndinën e Shtëpisë së Bardhë mes pankartave gjigante në formë zemre që mbanin mesazhe të tilla si "shërim", "kurajo" dhe "dhembshuri".

Zonja e Parë u tha gazetarëve se ajo thjesht donte të ndante një mesazh gëzimi mes pandemisë së COVID-19. Presidenti u tha gazetarëve se Dita e Shën Valentinit ka qenë gjithmonë e veçantë për Zonjën e Parë dhe tregoi një histori nga ditët e tij si nënpresident kur ajo zbukuronte çdo dritare në zyrën e tij.

Image

Gazetarët e shfrytëzuan rastin për të pyetur presidentin Biden në lidhje me gjykimin e ish-Presidentit Donald Trump në Senat. Deri më tani, Presidenti Biden, ka bërë pak ose aspak komente publike mbi procedurat.

"Thjesht jam në ankth për të parë se çfarë bëjnë miqtë e mi republikanë, nëse ngrihen në këmbë", u tha Biden gazetarëve, duke iu referuar senatorëve republikanë që shërbejnë si anëtarë të jurisë në gjyq. I pyetur nëse ai planifikon t'i telefonojë ata, zoti Biden tha jo.

Prokurorët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kaluar tre ditët e fundit duke prezantuar çështjen e tyre kundër zotit Trump, të cilin ata e kanë akuzuar për nxitje të sulmit më 6 janar në Kapitolin. Pavarësisht nga provat filmike dhe prezantimet emocionuese, shumica e republikanëve të Senatit pritet të votojnë kundër akuzës së ngritur ndaj ish-presidentin./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat