Demokratët dhe republikanët para sfidave të reja

Amerika

Demokratët dhe republikanët para sfidave të reja

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 15:13
Senati amerikan

Pas shpalljes të pafajshëm të ish-presidentit Donald Trump të shtunën në Senat, e ardhmja e tij në politikë mbetet e pasigurt. 57 senatorë votuan për ta dënuar atë, duke përfshirë shtatë nga partia e tij republikane - duke mos arritur, megjithatë, 67 votat e nevojshme për ta dënuar.

Zoti Trump u shpall i pafajshëm për nxitjen e dhunës kundër qeverisë amerikane pasi mbështetësit e tij sulmuan Kongresin më 6 janar, të zemëruar nga akuzat e rreme të ish presidenti se demokrati Joe Biden vodhi zgjedhjet.

Demokratët thanë se përgjegjësia e Trumpit ishte e qartë. Shtatë republikanë ranë dakord, por të tjerët thanë se nuk kishte prova të mjaftueshme.

Një sondazh i agjencisë Reuters / Ipsos tregon se 71% e të rriturve amerikanë, dhe gjysma e republikanëve, besojnë se Trumpi është pjesërisht përgjegjës për trazirat.

Një banor me emrin Zach tha se ai mbështeste gjykimin e Trumpit. "Gjithçka që ai po bën është një përpjekje për të prishur sistemin shumë të brishtë të votimit që kemi tashmë dhe që është përfolur shumë," tha ai. Shell Reinish, mbështetëse e Trumpit, megjithatë thotë se Kongresi po humbiste kohë. “Gjyqi është për të shkarkuar një president nga detyra. Ai nuk është më në detyrë”, tha zonja Reinish.

Sondazhet tregojnë se shumica e republikanëve ende përkrahin Trumpin.

"Në fakt, 70% e republikanëve besojnë se Joe Biden u zgjodh ilegalisht president", thotë Barbara Perry, një analiste në Universitetin e Virxhinias. Kjo është diçka që udhëheqësit republikanë e pranojnë se nuk është e vërtetë.

Por analistja thotë se mbështetësit e Trumpit morën prej tij politikat që dëshironin.

"Ata siguruan taksa më të ulëta, më pak rregullore, zgjedhjen e konservatorëve në gjykatat federale, konservatorëve në Gjykatën e Lartë," tha ajo. Ata gjithashtu patën një politikë të jashtme agresive dhe një qëndrim të ashpër për çështjet e kufirit”.

Ndërkohë, Presidenti Joe Biden dhe demokratët në Kongres përballen me sfida.

"Demokratët duhet të na nxjerrin nga kriza e COVID-it dhe ta rikthejnë ekonominë në rrugën e duhur", tha Elaine Kamarck, një analiste me Institutin Brookings. "Ata kanë një detyrë mjaft të qartë përpara, dhe çfarëdo ndarje ideologjike që ekziston në parti, është e heshtur në krahasim me partinë republikane".

Trumpi është i dashur për bazën e tij, por shahet nga disa republikanë dhe vetëm tolerohet nga të tjerë.

Zonja Kamarck dhe kolegët e saj në Institutin Brookings parashikojnë një varg mundësish për Trumpin në të ardhmen. "Variojnë që nga udhëheqja e Partisë Republikane dhe rizgjedhja si president në vitin 2024 e deri në burgosje ose detyrimin për të mërguar në Rusi ose Arabinë Saudite apo diku tjetër," thotë ajo.

I shfajësuar në Kongres, Trump mbetet në shënjestër nga shumë prokurorë që po shohin marrëdhëniet e tij të biznesit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat