Mianmar: Junta premton mbajtjen e zgjedhjeve, por vazhdon shtypjen e protestave

Amerika

Mianmar: Junta premton mbajtjen e zgjedhjeve, por vazhdon shtypjen e protestave

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 06:35
Ilustrim

Junta ushtarake e Mianmarit garantoi të martën se do të mbajë zgjedhje dhe do të dorëzojë pushtetin, mohoi se rrëzimi i qeverisë së zgjedhur ishte një grusht shteti ose se udhëheqësit e saj u arrestuan dhe akuzoi protestuesit për dhunë dhe frikësim. Mbrojtja e vendimit për marrjen nën kontroll të pushtetit dhe arrestimin e udhëheqëses qeveritare Aung San Suu Kyi dhe të tjerëve, erdhi ndërsa protestuesit dolën përsëri në rrugë dhe Kina hodhi poshtë zërat e përhapur në mediat sociale se ajo kishte ndihmuar me grushtin e shtetit.

Protestat e mëdha vazhduan për të tretën javë me radhë në Mianmar pasi ushtria mori pushtetin dhe arrestoi udhëheqësit e lartë, përfshirë Aung San Suu Kyi-në, ndalimi i së cilës është zgjatur të paktën deri të mërkurën.

Njerëzit në Yangon brohorisnin përpara barrikadave të policisë në një rrugë pranë selisë së partisë së Suu Kyi-së, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Vetëm disa orë më herët protestat gjatë natës u bënë të dhunshme. Forcat policore dhe ushtarake së fundmi kanë rritur presionin për t'i dhënë fund protestave me shfaqje force duke filluar nga plumba gome tek pompat e ujit, ndërsa shtohen njoftimet për kërcënimin me armë ndaj protestuesve kryesisht paqësorë.

Turmat u mblodhën në rrugën jashtë Bankës Qendrore të Mianmarit të hënën duke mbajtur tabela me shkronjat C-D-M, për Lëvizjen e Mosbindjes Civile. Organizatori i protestës Htet Aung do që sektori bankar i vendit të paralizohet.

“Lëvizja e Mosbindjes Civile duhet të ruajë ritmin për t’i përshpejtuar protestat me më pak dhunë dhe viktima. Prandaj, Mosbindja Civile në sektorin bankar do të ishte mënyra më efektive për të ndalur funksionet e administratës së grushtit të shtetit", thotë ai.

Ushtria, e udhëhequr nga Gjenerali i Lartë Min Aung Hlaing, ka përmendur parregullsi të pretenduara zgjedhore në garën e nëntorit të fituar nga NLD për të justifikuar grushtin e shtetit.

Së fundmi presidenti amerikan, Joe Biden miratoi sanksione kundër drejtuesve të lartë ushtarakë të vendit, por ushtria nuk po tregon shenja tërheqjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat