Një komision heton sulmin në Kapitol

Amerika

Një komision heton sulmin në Kapitol

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 08:20
Foto ilustrim

As pas dështimit të procedurave në Senat kundër Donald Trumpit, demokratët nuk dorëzohen. Ish-presidenti mbetet në shënjestër të hetimeve.

Sulmi në selinë e Kongresit Amerikan në Uashington në 6 Janar ka shkaktuar mllef jo vetëm në SHBA por edhe në mbarë botën demokratike. Pothuajse gjashtë javë më vonë, demokratët në pushtet vazhdojnë përpjekjet për shpalljen fajtor të ish-presidentit Donald Trump. Pas dështimit të votimit në Senat, tani ata duan të formojnë një komision të pavarur për të shqyrtuar me kujdes ato që kanë ndodhur. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, shpjegoi në një letër për deputetët se paneli duhet të shqyrtojë me kujdes sfondin dhe pasojat e "sulmit të brendshëm terrorist" si dhe veprimet e të gjitha forcave të sigurisë të përfshira në këto ngjarje. Komisioni do të veprojë në një mënyrë të ngjashme me atë që u krijua nga Kongresi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Kjo iniciativë e demokratëve vjen vetëm dy ditë pas dështimit të votimit në Senat kundër ish-presidentit Donald Trump. Sipas Pelosi, organi neutral duhet të hetojë gjithashtu përpjekjet e Trump për të parandaluar transferimin paqësor të pushtetit.

Image

Demokratët akuzojnë republikanin për inkurajimin e mbështetësve të tij për të sulmuar Kapitolin, gjatë një tubimi të mbajtur me 6 janar. Më shumë se 200 njerëz janë akuzuar tashmë për krime të nivelit federal dhe për dhunë.

Pesë persona, përfshirë këtu edhe një oficer policie, u vranë gjatë sulmit në Parlament. Deputetët, senatorët dhe më pas zëvendëspresidenti, Mike Pence u larguan vetëm disa minuta para se turma e zemëruar të sulmonte sallën ku mbahej seanca. Kongresi u takua atë ditë për të konfirmuar zgjedhjen e Joe Biden si president i ri i SHBA.

Që nga ajo kohë, Kapitoli është rrethuar me një gardh me tela me gjemba. Rreth 6.000 ushtarë të Gardës Kombëtare janë ende atje për të mbrojtur Parlamentin nga sulmet e reja të mundshme. Qysh në janar, kreu i Policisë së Kapitollit ka kërkuar nga deputetët që të sigurojnë masat e rrethimit të përhershëm dhe rritjen e masave të sigurisë, për shkak të mundësisë së sulmeve të ngjashme./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat