Shtëpia e Bardhë: Do të duhen muaj për të hetuar sulmin kibernetik rus

Amerika

Shtëpia e Bardhë: Do të duhen muaj për të hetuar sulmin kibernetik rus

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 22:23
Anne Neuberger

Këshilltarja kryesore e Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kibernetike tha të mërkurën se do të duhen edhe disa muaj për të përfunduar një hetim rreth një sulmi të gjerë kibernetik kundër Shteteve të Bashkuara.

Zëvendës këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Çështjet Kibernetikedhe Teknologjinë, Anne Neuberger tha se nëntë agjenci federale dhe 100 kompani të sektorit privat ishin prekur nga sulmi, i cili doli për herë të parë në dritë në dhjetor.

Ajo tha gjithashtu se një numër kompanish të prekura të sektorit privat ishin kompani teknologjike, të cilat ishin sulmuar për të lehtësuar qasjen tek “viktimat” e tjera.

Byroja Federale e Hetimeve, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe disa agjenci të tjera qeveritare amerikane kanë hetuar rrjetet kompjuterike të prekura për të gjetur të dhëna rreth sulmuesve. Ndërsa zyrtarë të shumtë të qeverisë amerikane kanë thënë se hakerët ishin nga Rusia, ata kanë ofruar pak detaje shtesë.

"Ne besojmë se atyre u janë dashur muaj për të planifikuar sulmin”, tha zonja Neuberger. "Do të na duhet pak kohë për ta zbuluar atë shtresë pas shtrese"

Aktualisht, administrata e Presidentit Biden po punon mbi politikat e sigurisë kibernetike për të parandaluar një sulm të stilit të ngjashëm. Zonja Neuberger parashikoi se disa nga këto rekomandime do të bëhen pjesë e një "aksioni ekzekutiv" në të ardhmen.

Njoftimet qeveritare dhe raportimet publike kanë zbuluar se një listë e larmishme agjencish federale u sulmuan nga hakerët, përfshirë departamentet e Drejtësisë, Thesarit, Sigurisë Kombëtare dhe Tregtisë. Agjencia e lajmeve Reuters ka bërë të ditur më parë se hakerët ishin përpjekur të vidhnin emaile që u përkisnin zyrtarëve të rangut të lartë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat