Seanca për konfirmimin e Merrick Garland në postin e Prokurorit të Përgjithshëm

Amerika

Seanca për konfirmimin e Merrick Garland në postin e Prokurorit të Përgjithshëm

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 18:22
Kandidati për në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland

Kandidati për në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland përballet sot përsëri me pyetjet e senatorëve në seancën për konfirmimin e tij. Ai u tha të hënën ligjvërësve se nëse konfirmohet, hetimi mbi sulmin e 6 janarit në Kapitol do të jetë përparësia e tij kryesore.

Një sfidë me përmasa të papara…

Kandidati për të marrë postin më të lartë të zbatimit të ligjit në vend premtoi një hetim të hollësishëm mbi shkaqet thelbësore të sulmit të 6 janarit.

"Mendoj se ky ishte sulmi më i urryer ndaj proceseve demokratike që kam parë ndonjëherë, dhe që kurrë nuk prisja ta shihja në jetën time", tha Merrick Garland.

Departamenti i Drejtësisë tashmë po ndjek penalisht qindra vetë për rolin e tyre në sulmin e 6 janarit.

Zoti Garland u pyet nëse do të merrte në konsideratë të bënte një përcaktim më të gjerë të atyre që do të ndiqen penalisht - që mund të përfshijë edhe ish-presidentin Trump.

"Nuk do të përjashtoni hetimin e financuesve, organizatorëve, drejtuesve, apo ndihmësve që nuk ishin të pranishëm në Kapitol më 6 janar", pyeti senatori demokrat Sheldon Whitehouse.

“Do të fillojmë me njerëzit që ishin në terren dhe do të vazhdojmë deri tek ata që ishin të përfshirë dhe më tej. Ne do t'i ndjekim këto hetime kudo që të na çojnë, kjo është puna e një prokurorie", tha zoti Garland.

Një gjyqtar me përvojë, Garland u emërua në vitin 2016 nga Presidenti i atëhershëm Barack Obama për të plotësuar një vend të mbetur bosh në Gjykatën e Lartë. Republikanët e Senatit nuk e morën në shqyrtim kandidaturën e tij duke përmendur argumentin se ishte një vit zgjedhjesh presidenciale. Tani Garland është gati të marrë përsipër rolin e prokurorit të përgjithshëm duke zëvendësuar të emëruarit e ish presidentit Trumpit, që tërhoqën zemërimin e demokratëve për mënyrën se si e trajtuan këtë post.

"Nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm Sessions dhe pasardhësit të tij Bill Barr, Departamenti i Drejtësisë u bë krahu i Shtëpisë së Bardhë, i përkushtuar për të avancuar interesat e Presidentit Trump, familjes së tij dhe aleatëve të tij politikë", tha senatori demokrat Dick Durbin.

Por republikanët argumentuan se ky ishte gjithashtu një problem edhe nën administratën e presidentit Obama.

“Departamenti i Drejtësisë u politizua dhe u armatos në një mënyrë që ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me traditën mbi një shekullore të Departamentit të Drejtësisë për të qenë apolitik dhe jo një mjet partiak për të vënë në objektiv kundërshtarët”, tha senatori Ted Cruz.

Zoti Garland u tha senatorëve se ai nuk e sheh punën si një post politik.

“Unë nuk jam avokati i Presidentit, unë jam avokat i Shteteve të Bashkuara dhe do të bëj gjithçka të mundur, për të shmangur çdo përpjekje nga kushdo për të bërë ndjekje apo hetime partiake ose politike”, tha zoti Garland.

Senati ka të ngjarë ta konfirmojë zotin Garland në fillim të javës së ardhshme. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat