Ekspertët: Ende të panjohura përmasat e ndërhyrjes kibernetike përmes SolarWinds

Amerika

Ekspertët: Ende të panjohura përmasat e ndërhyrjes kibernetike përmes SolarWinds

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 16:23
Ligjvënësit amerikanë

Ligjvënësit amerikanë hapën hetime këtë javë lidhur me penetrimin në sistemet e kompanisë SolarWinds në dhjetor 2020 që çoi në kompromentimin e sistemeve kompiuterike të qeverisë amerikane si dhe të shumë përdoruesve privatë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson njofton se krerët e kompanive teknologjike thanë në dëshmi para ligjvënësve se nuk dihen ende përmasat e plota të kësaj ndërhyrjeje.

Ndërhyrja kibernetike e dhjetorit 2020 në sistemet e kompanisë SolarWinds vazhdon të ngrejë shqetësime të reja për ligjvënësit, pasi ende nuk dihen përmasat e plota të këtij penetrimi.

“Pozicionimi që arritën të sigurojnë këta hakerë në sisteme të mbyllura, përfshirë në sistemet e disa prej operatorëve privatë më të mëdhenj në botë, mund t’u ofrojë atyre mundësi për të penetruar në sistem për vite me radhë,” tha kreu i Komisionit të Senatit për Zbulimin, Mark Warner.

Ekspertët thonë se kjo ndërhyrje përngjet me operacione ruse spiunazhi, megjithëse Moska ka hedhur poshtë përfshirjen në incident.

“Ka shumë të ngjarë të jetë i vërtetë përfundimi me të cilin kanë dalë qeveria federale dhe kompania Microsoft për përfshirjen e rusëve. Por rrallë, rrallë herë vendet e pranojnë se kanë qenë të përfshira në spiunazh,” thotë Mark Montgomery me Komisionin “Solarium”.

Mijëra kompani amerikane u ndikuan nga kjo ndërhyrje. Por duket se hakerët ishin të përqëndruar tek 100 firma të sektorit privat dhe nëntë agjenci qeveritare ku u diktua ndërhyrje.

“Kush i di përmasat e vërteta të këtij akti? Vetëm hakerët. Ata që e kryen ndërhyrjen e dinë çfarë bënë. Për momentin vetëm ata e dinë,” thotë shefi ekzekutiv i Microsoft-it, Brad Smith.

Shefat ekzekutivë u thanë ligjvënësve se një pjesë e mirë e suksesit të hakerëve ishte rezultat i metodave që përdorën:

“Imagjinoni sikur shtëpia juaj të kishte një derë të fshehtë. Por të gjithë çelsat që e hapin derën gjenden fare lehtë. Tani ata që duan mund të futen në shtëpinë tuaj,” thotë shefi ekzekutiv i firmës “FireEye”, Kevin Mandia.

Ndërhyrja u bë publike pasi kompanitë që ishin shenjestruar njoftuan se kishte pasur një penetrim kibernetik në sisteme:

“Mësuam dhe vazhdojmë të mësojmë përmasat e këtij sulmi të sofistikuar. Po ashtu kemi kuptuar sa të duruar dhe këmbëngulës ishin ata që e organizuan këtë ndërhyrje,” tha Sudhakar Ramakrishna në kompaninë “SolarWinds”.

Disa ligjvënës kanë bërë thirrje për hapa të kujdesshëm në këtë periudhë analize mbi hollësitë e ndërhyrjes:

“Megjithëse ka një mori aktesh që mund të ndërmarrë një vend sovran në kundërpërgjigje, do t’ju kërkoja të tregoheni të kujdesshëm me terma si “sulm” apo “akt lufte” kur flisni për këtë operacion, deri në momentin kur faktet të na çojnë në këtë përfundim,” tha Senatori Marco Rubio.

Por Shtëpia e Bardhë tha të martën se mund të njoftohen sanksione kundër Rusisë brenda pak javësh:

“Duam që për momentin t’i japim ekipit tonë kohën që u nevojitet për të ndërmarrë hapa shtesë që ata të mësojnë më shumë për autorësinë e ndërhyrjes. Ne rezervojmë të drejtën për t’u përgjigjur në momentin që zgjedhim vetë,” tha zëdhënësja Jen Psaki.

Ekspertët thonë se ky është vetëm njëri element i përgjigjes kibernetike amerikane:

“Synimi do të jetë që t’ua bëjnë më të vështirë të ndërmarrin akte të tilla në të ardhmen si dhe të bëhen përgatitje për format që mund të marrin në të ardhmen këto ndërhyrje dhe të pajisim sektorin privat me mjetet për të diktuar probleme të ardhshme,” thotë zoti Montgomery.

Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve po organizon seancat e tij dëgjimore mbi këtë incident./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat