Nënpresidentja Kamala Harris me mesazh për Muajin e Historisë së Afrikano-Amerikanëve

Amerika

Nënpresidentja Kamala Harris me mesazh për Muajin e Historisë së Afrikano-Amerikanëve

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 21:55
Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris foli të shtunën në Shtëpinë e Bardhë me rastin e Muajit të Historisë së Afrikano-Amerikanëve. Ky muaj shoqërohet me aktivitete të shtuara që nderojnë afrikano-amerikanë të shquar për rolin e tyre si ndaj popullatës me ngjyrë, gjithashtu edhe në shërbim të mbarë vendit.

Zonja Harris tha se çdo brez e ka për detyrë të kontribuojë ndaj kësaj historie:

“Duke kujtuar historitë tona, ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm se jemi pjesë e një historie më të gjatë dhe se ne jemi ata që vendosim si do të shkruhet kapitulli ynë. Unë e konceptoj historinë si një garë stafetë: çdo brez kryen garën e tij dhe pastaj ia kalon stafetën brezit tjetër. Tani ne e kemi në dorë stafetën. Ka shumë rëndësi se sa mirë do ta kryejmë ne pjesën tonë të garës”, tha zonja Harris.

Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd vjet në duart e një polici që po e arrestonte hodhi dritë mbi problemet me diskriminimin racor që vazhdon në Shtetet e Bashkuara. Nënpresidentja Harris tha se pandemia ka treguar qartë se si ndikon ky diskriminim në jetët e pakicave racore në Shtetet e Bashkuara.

"Në shumë forma pandemia ka qenë përshpejtuese e ketyre fenomeneve. Ata që nuk i kishin punët mirë as më parë, janë tani edhe më keq. Defektet, krisjet, të metat në sistemet tona kanë dalë edhe më qartë gjatë pandemisë. Tani i shohim të gjitha”, tha nënpresidentja.

Pakicat racore në Shtetet e Bashkuara janë prekur në përqindje shumë më të larta nga infektimi dhe po ashtu edhe nga pasojat fatale të sëmundjes. Gjithashtu ato janë në përqindje më të larta viktima të goditjes ekonomike të pandemisë.

Zonja Harris, gruaja e parë në rolin e nënpresidentes së vendit, është gjithashtu personi i parë me ngjyrë në postin numër dy ekzekutiv të Amerikës. Në fjalën e saj të transmetuar përmes rrjeteve dixhitale për shkak të pandemisë, Nënpresidentja Harris u bëri thirrje amerikanëve të ngrenë zërin, të thonë të vërtetën për ato që shohin, sado të pakëndshme, sado irrituese për disa, pasi e vërteta, tha ajo, është e domosdoshme në këtë kohë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat