Kaliforni, fushatë për vaksinimin e punonjësve të sektorit bujqësor

Amerika

Kaliforni, fushatë për vaksinimin e punonjësve të sektorit bujqësor

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 19:20
Foto ilustrim

Për herë të parë, punëtorët morën pushim nga vjelja e produkteve në fermën Tudor në shtetin perëndimor amerikan të Kalifornisë për të bërë vaksinën. Drejtori ekzekutiv i fermës, George Tudor thotë se punëtorët e fermave dhe mirëqenia e tyre, janë kritike për Shtetet e Bashkuara.

"Unë mendoj se kjo është e qartë. Dyqanet ushqimore, frigoriferët e shtëpive, të gjithë kanë nevojë për ushqim. Dhe ushqimi vjen nga këto fusha dhe nga puna e palodhur e këtyre punëtorëve".

Këtyre komenteve i bëri jehonë edhe drejtorja e Shëndetit Publik në Distriktin Riverside, Kimberly Saruwatari.

"Ne e dimë që kjo është një fuqi punëtore thelbësore. Ne e dimë se ata janë të nevojshëm për zinxhirin e furnizimit me ushqim në të gjithë vendin, prandaj duam të sigurohemi që ata të vaksinohen."

Por lufta kundër miteve që qarkullojnë për rreziqe nga vaksina kundër Covid-19 ka qenë një element i rëndësishëm i fushatës së vaksinimit, thotë Luz Gallegos, drejtore ekzekutive e organizatës Todec, e cila mbështet punonjësit e sektorit bujqësor.

"Anëtarët e organizatës sonë e dinin se do të ishte shumë e vështirë për komunitetin tonë që të bënin vaksinën, sepse ata vazhdojnë të dëgjojnë mite, informacione të pasakta për rrezikun e saj. Kështu që tre muaj më parë ne filluam një fushatë informimi në këtë komunitetit, duke biseduar me punëtorët dhe duke ofruar informacione për vaksinën.”

Punonjësi Esequl Hernandez thotë se nganjëherë ai beson se shëndeti i tij nuk është një shqetësim për shumicën e njerëzve. Kjo fushatë ia ka ndryshuar mendimin.

"Ndonjëherë mendoj se askush nuk shqetësohet për ne fermerët, por këtë radhë ndodhi e kundërta. Dhe kjo është një gjë e mirë."

Hernandez thotë se është i lumtur që bëri vaksinën dhe ndihet mirë.

"Është fantastike. Disa njerëz kanë frikë. Disa njerëz nuk e pëlqejnë, ata kanë frikë se mund t’u ndodh diçka. Por unë nuk kam frikë. Unë nuk kam problem me vaksinën."

Sipas të dhënave zyrtare të shtetit, deri më tani Kalifornia ka mbi 3.2 milionë raste të konfirmuara me Covid-19, dhe mbi 40,000 mijë vdekje të shkaktuara nga koronavirusi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat