Departamenti policor i Kapitolit, gati për kërcënimet e paralajmëruara

Amerika

Departamenti policor i Kapitolit, gati për kërcënimet e paralajmëruara

Më: 4 mars 2021 Në ora: 16:25
Kapitol

Departamenti policor i Kapitolit tha se po i merr seriozisht paralajmërimet e shërbimeve të zbulimit për një komplot të mundshëm nga një grup ekstremist që mund të përpiqet të futet të enjten me forcë në selinë e Kongresit amerikan.

“Kemi bërë tashmë përmirësime të shumta në masat e sigurisë, përfshirë vendosjen e një barriere fizike dhe shtimin e kontigjentit që mbron Kongresin, publikun dhe policët,” tha departamenti përmes një deklarate. “Departamenti ynë po punon me partnerë lokalë, shtetërorë dhe federalë për të ndalur kërcënimet ndaj Kapitolit”.

Selia e Kongresit është mbrojtur gjatë javëve të fundit me ndihmën e Gardës Kombëtare dhe është rrethuar nga një perimetër i ri sigurie, që pas sulmit të 6 janarit nga përkrahës të ish-Presidentit Donald Trump, kur anëtarët e Kongresit po certifikonin fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.

Data 4 mars lidhet me disa teori konspirative që thonë se zoti Trump do të bëjë betimin në këtë ditë për një mandat të dytë presidencial. Kjo rrjedh nga një traditë e mëparshme, kur presidenti bënte betimin për mandatin e ri më 4 mars. Kjo traditë përfundoi pas inaugurimit të Presidentit Franklin Roosevelt në 1933 dhe tani ceremonia e inaugurimit zhvillohet më 20 janar.

Këtë javë FBI-ja dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare paralajmëruan forcat lokale të rendit se një grup ekstremist kishte bërë thirrje për grumbullim në Uashington në përpjekje për të marrë nën kontroll Kongresin.

Këto kërcënime bënë që Dhoma e Përfaqësuesve të anulonte seancat e së enjtes, ndërkohë që Senati nuk ka bërë ndryshime në axhendë.

Ligjvënësit kanë zhvilluar një numër seancash ku kanë dëgjuar nga zyrtarë dëshmi mbi ngjarjet e 6 janarit. Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj më shumë se 300 vetëve për pjesëmarrjen në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit ku gjetën vdekjen pesë vetë, ndër ta edhe një polic i forcës mbrojtëse të Kongresit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat