Ligjvënës të Nju Jorkut bëjnë thirrje për shkarkimin e Guvernatorit Cuomo

Amerika

Ligjvënës të Nju Jorkut bëjnë thirrje për shkarkimin e Guvernatorit Cuomo

Më: 5 mars 2021 Në ora: 17:51
Andrew Cuomo

Disa ligjvënës të Nju Jorkut po bëjnë thirrje për shkarkimin e Guvernatorit Andrew Cuomo, pas njoftimeve se ndihmësit e tij kryesorë ndryshuan numrin e vërtetë të njerëzve që humbën jetën nga koronavirusi në shtëpitë e të moshuarve në këtë shtet.

Sipas gazetave Wall Street Journal dhe New York Times, ndihmësit e zotit Cuomo u kërkuan zyrtarëve të shëndetësisë të redaktonin një raport të muajit korrik, ku të llogariteshin vetëm personat e vdekur në mjediset e shtëpive për të moshuarve, por jo ata që u sëmurën në këto mjedise dhe më pas vdiqën në spital.

Kjo është një goditje shtesë për guvernatorin Cuomo, i cili është përfshirë edhe në një skandal tjetër, nën akuzat se ka bërë komente të pahijshme dhe ka prekur në mënyrë të papërshtatshme dy ish-ndihmëse të tij si dhe një grua tjetër që ai e kishte njohur në një ceremoni martesore.

Të mërkurën, guvernatori kërkoi falje për veprimet e tij, duke thënë se “i kishte bërë disa persona të mos ndiheshin rehat”, por refuzoi thirrjet për dorëheqje dhe tha se do të bashkëpunonte plotësisht me hetimin e prokurorit të përgjithshëm të shtetit Nju Jork për akuzat e ngacmimit seksual.

Hetuesit federalë, ndërkohë, po shqyrtojnë me kujdes çështjen e trajtimit nga administrata e tij të të dhënave për personat e vdekur në shtëpitë e të moshuarve./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat