Senati miraton paketën stimuluese prej 1,9 trilionë dollarësh

Amerika

Senati miraton paketën stimuluese prej 1,9 trilionë dollarësh

Më: 7 mars 2021 Në ora: 19:37
Joe Biden

Senati amerikan miratoi një plan masiv prej gati 2 trilionë dollarësh lidhur me pandeminë që pritet t’u vijë në ndihmë miliona amerikanëve. Projektligji parashikon edhe një pagesë direkte prej 1,400 dollarësh, të cilën do ta përfitojë pjesa dërrmuese e amerikanëve. Asnjë republikan nuk e mbështeti paketën e ndihmës, e cila do të rikthet për miratim përfundimtar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Pas një sesioni të maratonë Senati miratoi paketën e ndihmës prej 1.9 trilionë dollarësh, duke e sjellje Presidentit Biden edhe më pranë një fitoreje të madhe legjislative.

"I premtova popullit amerikan se ndihma ishte në rrugën e duhur. Ne kemi bërë një hap tjetër gjigand përpara në përmbushjen e këtij premtimi", tha Presidenti Biden.

Votimi përfundimtar rezultoi sipas linjave partiake. Republikanë ishin të bashkuar kundër planit.

"Senati nuk ka shpenzuar kurrë 2 trilionë dollarë në një mënyrë më të rastësishme ose përmes një procesi kaq pak rigoroz sesa këtë herë", tha udhëheqësi i pakicës në Senat Mitch Mcconnell.

Paketa parashikon miliarda dollarë ndihmë për shtetet, shkollat dhe bizneset e vogla përfshirë pagesa të drejtpërdrejta për shumë amerikanë, prej 1400 dollarësh.

Votimi u shty për të paktën 12 orë ndërsa demokratët u përpoqën të gjenin një kompromis me demokratin e Virxhinias Joe Manchin lidhur me pagesat për papunësinë, duke rënë dakord që ato të jenë 300 dollarë çdo javë dhe jo 400.

Për disa pagesat në formë çeku, do të jenë një ndihmë e madhe.

"Për disa njerëz 1400 dollarë nuk janë asgjë, por për një familje si e imja tani që kemi probleme financiare, është gjithçka", thotë Stacy Rodriguez.

Por disa thonë se kjo mund të mos mjaftojë.

“Të marrim karburant këtë javë e të ngrohemi apo ushqime? Supozohet të jemi një nga vendet më të mira në botë dhe e kemi bërë deri më tani. Është e vështirë të jesh krenar kur ka njerëz që vuajnë e që s’kanë asnjë”, thotë Mammy Tripler, kryefamiljare.

Projektligji rikthehet tashmë në Dhomën e Përfaqësuesve për miratim përfundimtar përpara se të firmoset nga Presidenti Biden. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat