COVID-19, lufta me pasojat

Amerika

COVID-19, lufta me pasojat

Më: 7 mars 2021 Në ora: 20:00
Foto ilustruese

Humbja e nuhatjes dhe shijes është një simptomë e njohur e COVID-it dhe për disa pacientë është një sëmundje që zgjat. Mjekët francezë po studiojnë personat që kanë kaluar koronavirusin për të mësuar më shumë rreth kësaj simptome.

Evan Cesa e shijonte mjaft ushqimin. Tani të ngrënët është bërë një lloj bezdie për të.

"Ndonjëherë i kapërcej vaktet sepse nuk ia vlen. Humbas kohë dhe nuk kam dëshirë. Dikur kënaqesha duke ngrënë, të gjitha llojet e gjellëve. Tani, thjesht nuk dua. Kjo ka bërë që të humbas 1kg e gjysmë. Është pak e bezdisshme", thotë ai.

Cesa është ndër të sëmurët me humbje të nuhatjes që po studiohet nga mjekët në Nisë.

Para pandemisë, shkencëtarët përdornin aroma për të diagnostikuar sëmundjen e Alzheimerit. Tani ata po e përdorin ekspertizën e tyre për të sëmurët me COVID.

Ata po bashkëpunojnë me disa parfumierë nga qyteti Grasse aty pranë që prodhon esenca aromatike.

Studiuesja Alexandra Plonka provon disa shishe me esencë te Cesa për të parë dëmtimin e shqisës së tij të nuhatjes.

Cesa e kishte të vështirë t’i njihte aromat.

"Me bajamen reagove menjëherë. Bajamet kanë një aromë për të cilën siç duket ke dobësi. Sepse e ndjeve dhe e kuptove menjëherë", i thotë mjekja.

Analizat me Cesan dhe pacientë të tjerë përfshijnë edhe testime të gjuhës dhe të vëmendjes.

Studiuesit në Nisë po përpiqen të kuptojnë nëse ankesat e pacientëve kanë lidhje me COVID-in, duke përfshirë probleme të përqendrimit.

Dr Clair Vandersteen është otorinolaringolog në Institutin e Universitetit Face and Neck të Nisës.

Sot ai po kuron pacienten Gabriella Forgione.

Farmacistja 25-vjeçare humbi nuhatjen dhe shijen kur u sëmur me COVID në muajin nëntor. Trupi dhe mendja e saj e ka të vështirë të privohet nga kënaqësitë e ushqimit dhe nga aromat që ajo pëlqen. Tani po humbet peshë dhe vetëbesim.

"Ndonjëherë i them vetes, ‘sot do të ha diçka të mirë’. Por nuk shijoj dot gjë dhe jam e zhgënjyer", thotë ajo.

Edhe mjekët specialistë thonë se ka shumë gjëra nga kjo simptomë që ata ende nuk i kuptojnë dhe se po vazhdojnë të mësojnë.

Vandersteen shpreson që pacientja e tij të shërohet një ditë.

"Këto janë çrregullime që ndoshta do të korrigjohen vetë përmes rehabilitimit të nuhatjes, por ka ende pikëpyetje", thotë ai.

Studiuesit që punojnë me të sëmurët të cilët nuk rrezikohen nga vdekja por kanë sindroma të ndryshme, thonë se janë optimistë se shumica më në fund do të shërohen. Por disa mund të mbeten në atë gjendje.

Disa mjekë janë të shqetësuar se numri në rritje i pacientëve me humbje të nuhatjes, shumë prej tyre të rinj, mund të jenë më të prirur ndaj depresionit dhe vështirësive të tjera dhe kjo mund t’i rëndojë më tej sistemet shëndetësore tashmë të mbingarkuara. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat