Biden e sheh 4 Korrikun si “Ditë të Pavarësisë” nga virusi

Amerika

Biden e sheh 4 Korrikun si “Ditë të Pavarësisë” nga virusi

Më: 12 mars 2021 Në ora: 10:31
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden

Disa orë pasi nënshkroi paketën e ndihmës prej 1.9 trilion dollarësh, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mbajti një fjalim televiziv për të përshkruar fazën e ardhshme të luftës kundër pandemisë së koronavirusit.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, në përvjetorin e parë të shpalljes së pandemisë, Biden tha se ka dritë në fund të tunelit. Ai tha se secili amerikan i rritur do të ketë të drejtë për vaksinim jo më vonë se data 1 maj.

Masat aktuale u japin përparësi njerëzve sipas moshës ose gjendjes shëndetësore.

“Nëse e bëjmë këtë së bashku, më 4 korrik, ka një mundësi të mirë që ju, familja dhe miqtë tuaj të bashkoheni në oborr dhe të festoni Ditën e Pavarësisë”, tha Biden.

Ai shtoi se vendi do të jetë në gjendje të festojë jo vetëm Ditën e Pavarësisë, por edhe “pavarësinë nga ky virus”.

Mbi gjysmë milioni amerikanë kanë vdekur tashmë nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, dhe Biden paralajmëroi se lufta nuk ka mbaruar ende.

“Derisa dalim nga një dimër i errët në një pranverë dhe verë shpresëdhënëse, nuk është koha të mos iu përmbahemi rregullave”, tha Biden, duke iu bërë thirrje të gjithëve që t’i ndjekin protokollet shëndetësore.

“Mposhtja e virusit dhe kthimi në normalitet mbështeten në unitetin kombëtar”, tha ai.

Për të përshpejtuar vaksinimin, Biden njoftoi se administrata e tij do të punojë me shtetet për t’i bërë të mundshme vaksinat në më shumë qendra shëndetësore të komunitetit, farmaci, lokacione të vaksinimit masiv dhe njësi mobile.

Video:

Biden premtoi gjatë fushatës së tij, vitin e kaluar, se do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të frenuar pandeminë dhe për të adresuar pasojat ekonomike.

Ai vuri si synim administrimin e 100 milionë vaksinave në 100 ditët e tij të para në detyrë dhe Shtetet e Bashkuara - 50 ditë pasi Biden mori detyrën - janë në rrugën e duhur për ta tejkaluar këtë shifër.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, më shumë se 64 milionë njerëz, ose 19.3 për qind e popullsisë, kanë marrë deri më tash së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Për më tepër, 33.8 milionë njerëz, ose 10.2 për qind e popullsisë, e kanë përfunduar vaksinimin e tyre.

Biden tha se paketa e ndihmës prej 1.9 trilion dollarësh, e miratuar nga Kongresi dhe e nënshkruar nga ai, do t’i ndihmojë amerikanët të rikuperohen nga kriza e koronavirusit.

“Ky legjislacion historik ka të bëjë me rindërtimin e shtyllës kurrizore të këtij vendi dhe dhënien e shansit për të luftuar njerëzve që punojnë, njerëzve të klasës së mesme, njerëzve që ndërtojnë vendin”, tha Biden.

Shtëpia e Bardhë tha se pagesat e drejtpërdrejta prej 1,400 dollarësh për shumicën e amerikanëve - të financuara nga Plani Amerikan i Shpëtimit - do të fillojnë të shfaqen në llogaritë bankare që nga kjo fundjavë.

Plani përfshin gjithashtu para për të ndihmuar në shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit, ofron ndihmë për pronarët e shtëpive dhe qiramarrësit, zgjeron pagesat federale për të papunët, ndihmon rihapjen e shkollave, siguron ndihma për shtetet dhe qeveritë lokale dhe zgjerim të kredisë së taksës së fëmijëve.

Projekt-ligji i shpenzimeve, një nga më të mëdhenjtë në historinë e SHBA-së, u miratua në Kongres pa mbështetje të asnjë republikani.

Republikanët e kundërshtuan çmimin e paketës, duke kërkuar që elemente të ndryshme të saj të jenë më të vogla./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat