Guvernatori Cuomo hedh poshtë përsëri thirrjet për dorëheqje

Amerika

Guvernatori Cuomo hedh poshtë përsëri thirrjet për dorëheqje

Më: 12 mars 2021 Në ora: 22:41
Andrew Cuomo

Duke u përballur me një izolim të pashembull politik, Guvernatori i Njr Jorkut Andrew Cuomo u shfaq përsëri sfidues duke këmbëngulur të premten se nuk do të dorëhiqet pavarësisht akuzave në rritje ndaj tij për ngacmim seksual. Ai kritikoi koalicionin e gjerë të demokratëve që po kërkojnë dorëheqjen e tij duke i cilësuar si "të nxituar e të rrezikshëm".

Guvernatori demokrat prej tre mandatesh, një nga kritikët kryesorë të mënyrës se si ish-Presidenti Donald Trump trajtoi pandeminë evokoi ish-presidentin republikan për t’u mbrojtur kundër asaj që e cilësoi si "kultura e përjashtimit".

"Unë nuk do të jap dorëheqjen", tha zoti Cuomo gjatë një telefonate pasdite me gazetarët. "Nuk i kam bërë ato që pretendohen dhe pikë".

Ai shtoi se: "Njerëzit e dinë dallimin mes lojës politike, përkuljes përpara kulturës së përjashtimit dhe së vërtetës", tha ai.

Komentet e guvernatorit vijnë në një ditë kur partia e tij në Nju Jork e më gjerë është kthyer ashpër kundër tij në vazhdën e akuzave për ngacmim si dhe kritikave ndaj zotit Cuomo për mos publikimin e të dhënave lidhur me numrin e saktë të banorëve që kanë humbur jetën në shtëpitë e të moshuarve në Nju Jork si pasojë e COVID-19-s.

Të premten Partia Demokrate e ashpërsoi qëndrimin ndaj Guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo. Një koalicion i gjerë udhëheqësish të Kongresit iu bashkuan disa dhjetra ligjvënësve të shtetit të Nju Jorkut duke kërkuar dorëheqjen e guvernatorit.

Lista në rritje e kritikëve të zotit Cuomo tashmë mbulon praktikisht çdo rajon të shtetit dhe qendrat e pushtetit politik atë të qytetit të Nju Jorkut dhe kryeqytetit të vendit Uashington. Aleatët e tij këmbëngulin se ai nuk duhet të japë dorëheqjen, por ndërsa akuzat për ngacmim seksual rriten, izolimi i tij politik ka arritur nivele të pashembullta.

"Më shumë sesa politika apo vlerësime të tjera të ngushta më shqetësojnë më shumë viktimat e sulmit seksual ndaj unë besoj se Guvernatori Cuomo duhet të largohet", tha ligjvënësi demokrat i Nju Jorkut Sean Patrick Maloney.

Image
Alexandria Ocasio-Cortez

Ligjvënësja progresiste e Nju Jorkut Alexandria Ocasio-Cortez, thotë se ajo u beson grave që kanë akuzuar guvernatorin demokrat prej tre-mandatesh.

"Pas dy raportimesh për sulme seksuale, katër të tjerave për ngacmimeve, hetimit të Prokurores së Përgjithshme që zbuloi se administratorja e Guvernatorit nuk i kishtë raportuar të dhëna të sakta organit legjilativ dhe publikut, lidhur me numrin e viktimave nga COVID-19 në shtëpitë e pleqve, ne pajtohemi me rreth 55 anëtarët e organit ligjvënës të shtetit të Nju Jorkut se Guvernatori duhet të japë dorëheqjen”, shkruante në twitter zonja Ocasio-Cortez.

Zoti Cuomo thotë se ai nuk ka prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme dhe ka shprehur keqardhjen e tij nëse ka bërë dikë të ndihet keq.

Skandali i përshkallëzuar rrezikon rizgjedhjen e zoti Cuomo në vitin 2022, në një shtet me shumicë dërrmuese demokrate, por gjithashtu kërcënon të mjegullojë fillimin e mandatit të Presidentit Joe Biden. Republikanët në të gjithë vendin po u bëjnë jehonë akuzave në rritje ndaj zotit Cuomo duke u përpjekur të heqin vëmendjen nga suksesi i zotit Biden me pandeminë e të sfidojnë avantazhin e fortë të partisë së tij me votueset gra.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka thënë vazhdimisht se Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris mbështesin hetimin e nisur nga zyra e Prokurores së Përgjithshme të Shtetit lidhur me akuzat për ngacmim.

Ditët e fundit Guvernatori u ka bërë thirrje ligjvënësve dhe mbështetësve që të mos kërkojnë dorëheqjen e tij, por të mbështesin hetimet që po zhvillohen lidhur me akuzat e ngritura. Strategjia e tij duket se nuk po funksionon.

Asambleja e shtetit miratoi të enjten nisjen e hetimit, një proces që mund të çojë në shkarkimin zotit Cuomo.

Së bashku me një pretendim se guvernatori ka ngacmuar vitin e kaluar një ndihmëse të tij në rezidencës e tij në pronësi të shtetit të Nju Jorkut, zoti Cuomo përballet me akuza për komente me natyrë seksuale ndaj grave. Pjesa më e madhe e akuzueseve janë ish-ndihmëse të tij. Një prej këtyre të fundit tha se ai e kishte pyetur nëse do të kryente ndonjëherë marrëdhënie seksuale me një burrë shumë më të madh se ajo në moshë. Dhe një tjetër ndihmëse pretendon se guvernatori e ka puthur një herë pa pëlqimin e saj dhe tha se ndihmës të tjerë të tij e kishin denigruar publikisht, pasi ajo e kishte akuzuar zotin Cuomo për ngacmim seksual.

Gjatë javëve të kaluara, thirrjet për shkarkim ose dorëheqjen e guvernatorit kanë ardhur edhe nga republikanë apo demokratë me prirje të majta në qytetin e Nju Jorkut. Por ditët e fundit numri është shtuar.

Një shumicë e ligjvënësve të shtetit dhe më shumë se gjysma e anëtarëve demokrat të organit legjilativ të Nju Jorkut po bëjnë tashmë thirrje që ai të largohet.

Të premten ligjvënësit Jerry Nadler, Ocasio-Cortez, Jamaal Bowman, Mondaire Jones, Nydia Velazquez, Adriano Espaillat, Carolyn Maloney, Grace Meng, Antonio Delgado, Brian Higgins dhe Yvette Clarke kërkuan dorëheqjen e zotit Cuomo, duke iu bashkuar ligjvënëses Kathleen Rice, e cila kishte kërkuar më parë dorëheqjen e tij.

Republikanë të organit legjilativ të Nju Jorkut kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e zotit Cuomo, mes tyre Nicole Malliotakis, Elise Stefanik, Claudia Tenney dhe Lee Zeldin.

Image
Jerry Nadle

Ligjvënësi Jerry Nadler tha se zoti Cuomo e ka humbur besimin e njujorkezëve.

"Akuzat e përsëritura kundër guvernatorit dhe mënyra në të cilën ai u është përgjigjur atyre, e kanë bërë të pamundur në këtë pikë që ai të vazhdojë të drejtojë shtetin", tha zoti Nadler.

Demokratët e Nju Jorkut gjithashtu vunë në dukje kritikat e ngritura ndaj zotit Cuomo lidhur me mbajtjen sekret prej muajsh të numrit të banorëve në shtëpitë e të moshuarave që kanë humbur jetën nga COVID-19. Guvernatori ka thënë se administrata e tij duhej të verifikonte fillimisht numrin e vdekjeve në spitale të atyre personave që jetonin në azile përpara se të dilte me shifra të sakta, por kritikët kanë ngritur pikëpyetje se pse një gjë e tillë nuk ka penguar lëshimin e të dhënave nga ana e shteteve të tjera.

Zëdhënësit e senatorëve demokrate të Nju Jorkut, Chuck Schumer dhe Kirsten Gillibrand, nuk i janë përgjigjur ende kërkesa të premten për komente.

Guvernatori 63-vjeçar pritet të konkurojë për një mandat të katërt vitin e ardhshëm. Nju Jorku nuk ka kufizime për sa i takon numrit të mandateve.

Zoti Cuomo është përballur gjithnjë e më shumë me kritika se ai shpesh ka përdorur në mënyrë agresive fuqinë e tij për të forcuar imazhin dhe jo për interesa të njujorkezëve.

Në një raport të publikuar në janar nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të shtetit thuhej se administrata e zotit Cuomo nuk kishte bërë publike me mijëra vdekje si pasojë e COVID-it mes banorëve në shtëpitë e të moshuarave. Një anëtar demokrat i asamblesë së Nju Jorkut e ka akuzuar guvernatorin se e kishte kërcënuar pasi kishte folur hapur kundër tij.

Gjatë ditëve të fundit, përfaqësues të demokratëve të Nju Jork me qasje të moderuar kanë ngritur shqetësime në lidhje me akuzat e ngritura ndaj zotit Cuomo, i cili prej kohësh ka gëzuar mbështetjen e votuesve në periferi e qendër të shtetit. Të premten një grup prej pesë demokratësh të moderuar nga ishulli i Long Island-it të shtetit të Nju Jorkut, i bënë thirrje zotit Cuomo të largohet, derisa të përfundojë hetimi i Prokurores së Përgjithshme.

Ligjvënësit e Long Island-it thanë se pretendimet "janë tejet shqetësuese dhe përshkruajnë një model shqetësues të sjelljes që përfshin potencialisht një shkelje penale, siç thanë ata./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat