SHBA: Mjegullimi i kufijve mes politikës dhe botës së argëtimit

Amerika

SHBA: Mjegullimi i kufijve mes politikës dhe botës së argëtimit

Më: 21 mars 2021 Në ora: 20:46
Shtëpia e Bardhë

Vija ndarëse mes politikës dhe argëtimit është mjegulluar gjithnjë e më shumë në Amerikë, ku një ish-yll televizioni shërbeu si president katër vitet e kaluara dhe nga ana tjetër, argëtimi është bërë më politik. Përmbajtja që njerëzit zgjedhin të shikojnë dhe dëgjojnë pasqyron një vend të ndarë politikisht dhe siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee, ndasitë shpesh dëmtojnë harmoninë në familje.

Nate Padgett jeton mbi 2,000 kilometra larg vëllait të tij më të vogël Hayden. Pikëpamjet e tyre politike janë po aq larg njëra-tjetrës.

"Ne rrallë jemi në një mendje për politikën", thotë Nate Padgett, një demokrat, pronar biznesi të vogël në Nju Jork.

Dy vëllezërit u rritën në një familje republikane, por një herë kur Nate erdhi në shtëpi nga universiteti …

"Hymë në debat për politikën. Dhe atëherë e kuptuam të gjithë se ai kishte bindje të ndryshme", thotë Hayden Padgett, republikan dhe Menaxher i Produkteve të Teknologjisë në Teksas.

Preferencat kulturore të vëllezërve pasqyrojnë pikëpamjet e tyre politike. Nate, një demokrat, pëlqen shfaqjet dhe muzikë me tema me të cilat ai pajtohet.

"Unë jo domosdoshmërisht kërkoj artistë për shkak të prirjes së tyre politike, por mund të them se e shoh që prirem ndaj këngëve që kanë një mesazh politik ose shoqëror me të cilin jam dakord", thotë ai.

Hayden Padgett nuk i pëlqen programet televizive që kanë një axhendë.

"Kur filloj të censuroj veten time dhe atë që shoh, më duket sikur më predikojnë për politikën", thotë Hayden.

Por Hollivudi po përfshin më shumë mesazhe për tema sociale, duke i bërë politike thotë Profesorja e Universitetit të Kalifornisë së Jugut, Christina Bellantoni.

"Po shohim një përpjekje reale për të përfshirë larmi në tema që ka depërtuar më shumë në programet që i shohin njerëzit nga majta”, thotë ajo.

"Ka skenaristë në Los Angeles që po përpiqen ta bëjnë këtë dhe me të vërtetë po ushtrojnë ndikim”, thotë ajo.

Politika ka hyrë edhe në ngjarjet sportive.

"Colin Kaepernick është shembulli më spikatur, ndërsa më parë sporti sillte bashkim”, thotë ajo.

Në vitin 2016, lojtari i futbollit amerikan Colin Kaepernick u ul në gjunjë gjatë himnit kombëtar në shenjë proteste ndaj brutalitetit të policisë kundër pakicave. Shumë lojtarë profesionistë ndoqën shembullin e tij.

"Mendova se kjo ishte diçka e mirë”, thotë Nate.

"Problemi im me Colin Kaepernick nuk ishte se po ulej në gjunjë, por sepse filloi ta bënte këtë dhe nuk po luante më mirë”, thotë Hayden.

Pasionet politike u ndezën. Disa e kritikuan gjestin e lojtarit Kaepernick.

"A nuk do të donit të shihnit një nga këta pronarë të NFL-it që kur dikush nuk e respekton flamurin tone, ta përzënë atë nga fusha?” ishte shprehur ish-presidenti Donald Trump.

"Donald Trump amplifikon gjithçka", thotë Prof. Bellantoni.

“E ka bërë që në fillim. Ai i kupton mjetet e komunikimit masiv."

"Ai mund t'i motivojë njerëzit të bojkotojnë ose mbështesin diçka nëse bien dakord me të politikisht", shton ajo.

"Unë sinqerisht nuk dua që as lojtarët e sportit as artistët të shprehin mendimet e tyre politike", thotë Hayden.

Prof. Bellantoni thotë se një president i ri nuk do të thotë që kultura do të jetë më pak përçarëse, veçanërisht kur ka më shumë mënyra për të konsumuar përmbajtje se kurrë më parë.

Ajo thotë se shumë amerikanë që thonë se janë lodhur nga politika, i thellojnë ndasitë me zgjedhjet e tyre.

"Sidomos kur bëhet fjalë për qarqet e tyre shoqërore dhe kur shoqërohen më shumë me njerëz që kanë të njëjtat pikëpamje politike si ata. Kjo me të vërtetë e ngushton fokusin e përmbajtjes që ata konsumojnë", thotë Prof. Bellantoni.

Vëllezërit Padgett janë në gjendje të dalin jashtë hermetizmit të tyre shoqëror dhe të diskutojnë për politikën me njëri-tjetrin.

"Unë shpresoj që pas këtyre bisedave, kuptojmë më shumë”, thotë Nate.

"Na duket sikur na ndihmon të dyve ta kuptojmë më mirë palën tjetër dhe më pas të jemi më të informuar, të kuptojmë më shumë njerëzit e tjerë", thotë Hayden.

Mirëkuptim vëllazëror në një kohë kur nuk është e lehtë të kuptosh palën tjetër./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat