Sekretari amerikan i Mbrojtjes viziton Kabulin për të “dëgjuar dhe mësuar”

Amerika

Sekretari amerikan i Mbrojtjes viziton Kabulin për të “dëgjuar dhe mësuar”

Më: 21 mars 2021 Në ora: 23:05
Pamje nga takimi

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin bëri të dielën vizitën e tij të parë në Afganistan që kur mori postin e kreut të Pentagonit, ndërsa Uashingtoni po merr në shqyrtim vendimin nëse duhet të respektojë një afat të 1 majit për tërheqjen e të gjithë trupave amerikane nga vendi sipas një marrëveshjeje që u nënshkrua vitin e kaluar me Talibanët.

Sekretari Austin mbajti një takim me Presidentin Ashraf Ghani pasi mbërriti në kryeqytetin Kabul, nga një udhëtim në Indi. Një njoftim i Pentagonit citon zotin Austin të ketë thënë se ai vizitoi Afganistanin për të "dëgjuar dhe mësuar" dhe se donte të kuptonte cilat ishin shqetësimet e presidentit afgan.

Një deklaratë të presidencës afgane thuhet se zoti Ghani dhe sekretari Austin "shprehën shqetësim mbi nivelin e lartë të dhunës" dhe theksuan nevojën për të gjetur një paqe "të drejtë dhe të qëndrueshme" në Afganistan.

Image

Sekretari Austin gjithashtu u takua me udhëheqësit amerikanë dhe të koalicionit në Kabul për të kuptuar më mirë situatën dhe për të parë rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme në vendin e Azisë Jugore të trazuar prej kohësh.

Duke folur para gazetarëve që udhëtonin me të, sekretari Austin nuk pranoi të komentonte nëse talebanët i kanë përmbushur kushtet e nevojshme sipas marrëveshjes që u nënshkrua në Doha, kryeqytetin e Katarit, në shkurt të vitit të kaluar.

Në një intervistë javën e kaluar me kanalin ABC, Presidenti Joe Biden e përshkroi si "të vështirë" për të realizuar afatin e majit për përfundimin e luftës afgane, e cila ka qenë më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara. Presidenti Biden nuk përjashtoi një zgjatje të misionit ushtarak amerikan, por tha se ai mision nuk do të zgjaste shumë ".

Ekipi i sigurisë kombëtare i presidentit Biden po shqyrton paktin e shkurtit të vitit 2020 me talebanët që administrata e atëhershme e Presidentit Donald Trump nënshkroi në një përpjekje për t'i dhënë fund luftës.

Përpara vizitës së sekretarit Austin në rajon, njoftimet e mediave amerikane bënë të ditur se Presidenti Biden ka vendosur të mbajë trupat amerikane në vend deri në nëntor, sepse Talibanët nuk po përmbushnin deri në fund kushtet e marrëveshjes. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat