COVID-19, Vendet fqinje me Brazilin ndërmarrin hapa për kufizimin e kontakteve

Amerika

COVID-19, Vendet fqinje me Brazilin ndërmarrin hapa për kufizimin e kontakteve

Më: 25 mars 2021 Në ora: 15:13
Foto ilustrim

Vendet fqinje dhe partnerët tregtarë të Brazilit po ndërmarrin hapa për të kufizuar kontaktet me vendin më të madh të Amerikës së Jugut - ndërsa janë duke menduar për masa edhe më të rrepta. Ekziston shqetësimi se përparimi i bërë nga shumë vende në rajon kundër COVID-19 mund të përmbyset nga valët e reja të infeksionit në Brazil. Pandemia e dalë jashtë kontrollit në Brazil po krijuar variante të reja të fuqishme të koronavirusit që po shqetësojnë ekspertët mjekësorë në mbarë botën.

Varianti brazilian i koronavirusit, i njohur si P1, i cili u shfaq në rajonin verior të Amazonës në fund të vitit 2020, mbizotëron tani në pjesën më të madhe të vendit. Studimet sugjerojnë se ky variant u reziston antitrupave dhe shton shanset e ri-infektimit.

Organizata Shëndetësore Pan Amerikane (PAHO), dega rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha të martën se varianti P1, për të cilin ekspertët thonë se është më ngjitës sesa varianti origjinal i koronavirusit, ishte diktuar në 15 vende të kontinentit Amerikan dhe përbënte shqetësim për vendet e rajonit.

Në Uruguaj, një vend i njohur pushimesh për brazilianët, spitalet në qytetet pranë kufirit me Brazilin po arrijnë nivelin maksimal. Shumë brazilianë shkojnë aty për t’u vaksinuar.

"Është fantastike për ne brazilianët që kemi mundësinë të vaksinohemi (në Uruguai). Kush e di se kur do të ishim vaksinuar në Brazil", thotë 63 vjeçari Jose Adir Maciel.

Shkalla mesatare ditore e infeksioneve në Uruguaj, me rreth 50 raste për 100,000 banorë tani ia kalon asaj të Brazilit, me 35 raste për 100,000 banorë.

Autoritetet në Uruguaj konfirmuan se kishin zbuluar variantet braziliane P1 dhe P2 për herë të parë të hënën.

Rritja e rasteve të COVID-19 në rajonin veri-lindor të Uruguait, në kufi me Brazilin ishte shumë më e lartë se në pjesën tjetër të vendit.

"Po përpiqemi të bllokojmë kufirin sepse si ne ashtu edhe Livramento kemi një numër shumë të lartë rastesh pozitive", thotë Sirlei Sandin, që mbikëqyr një program vaksinimi në Spitalin Kaiser, pranë kufirit me Brazilin.

Në Argjentinë, shtet që ka hezituar të mbyllë kufijtë me partnerin e saj të rëndësishëm tregtar, thirrjet për masa më të ashpra po rriten si nga shkencëtarët edhe nga udhëheqësit rajonalë.

Agjencitë braziliane të udhëtimeve po ndjen pasojat.

"E panjohura jonë më e madhe sot është hapja e kufijve. Duhet të kemi një plan më konkret vaksinimi për t'u dhënë klientëve qetësi. Vaksinimet nuk janë vetëm çështje shëndetësore, por ato prekin shumë aspekte: shëndetin, punën, udhëtarët. Kjo është ajo që është kaq e vështirë për ne tani: pasiguria", thotë Luciana Fioroni, punonjëse në agjenci udhëtimesh.

Në shkurt, qeveria kolumbiane ndaloi hyrjen e shtetasve brazilianë, edhe nëse ishin tranzit për në një vend të tretë, për shkak të variantit P1.

Edhe Venezuela e shkatërruar nga kriza në vend ka ngritur shqetësime. Të dielën, presidenti Nicolás Maduro e quajti Brazilin "kërcënimin më të madh në botë për sa i përket koronavirusit" dhe kritikoi Jair Bolsonaron, për "qëndrimin e tij të papërgjegjshëm".

Shumë bolivianë në rajon verior të vendit janë të varur nga tregtia me Brazilin. Zëvendës ministri bolivian i Tregtisë së Jashtme Benjamin Blanco tha se qeveria po shqyrton dërgimin e disa prej vaksinave të pakta të vendit në kufi.

"Po analizojmë të shohim mundësinë e dërgimit të 228 mijë vaksinave në bashkitë e zonave kufitare".

Shumë vende, megjithatë, ngurrojnë të mbyllin plotësisht kufirin me Brazilin, vendi me ekonominë më të madhe në Amerikën Latine dhe partneri kryesor tregtar për shumicën e fqinjëve të tij.

Ndërkohë Brazili, mund të shënojë muajin më të rëndë të pandemisë në mars me mbi 40,000 vdekje. Repartet e kujdesit intensiv në disa qytete janë të mbingarkuara dhe kanë mungesë ilaçesh.

Presidenti Jair Bolsonaro, i cili ka refuzuar vaksinën e koronavirusit, kundërshton bllokimet dhe masat e distancimit fizik. Një numër guvernatorësh shtetërorë, të cilët vendosën kufizime vitin e kaluar, e kanë bërë përsëri këtë gjatë javëve të fundit, pavarësisht kundërshtimeve të presidentit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat