Ndihma me ushqime për emigrantët pa dokumenta gjatë pandemisë

Amerika

Ndihma me ushqime për emigrantët pa dokumenta gjatë pandemisë

Më: 5 prill 2021 Në ora: 06:16
Ilustrim

Një organizatë jofitimprurëse në Los Anxhelos, e quajtur “Nuk ekzistojmë pa ju”, është shumë e zënë me shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Dikur, ato i ofronin restorantet. Por, pasi u goditën nga pandemia, nuk e kishin më këtë mundësi.

Për emigrantët pa dokumenta që humbën punën për shkak të pandemisë, kutitë e mbushura me perime, drithëra dhe mish janë shpesh shansi i tyre i vetëm për të marrë ushqim të shëndetshëm ndërsa përballen me krizën.

“Jeta ime është e mbushur me frikë dhe dëshpërim. Burri humbi dy punë dhe ne nuk kualifikohemi për ndonjë ndihmë nga qeveria”, thotë Merced, emigrante pa dokumenta.

Ajo erdhi nga Meksika në Kaliforni rreth 20 vjet më parë, por as ajo dhe as bashkëshorti i saj nuk kanë dokumenta për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara ligjërisht.

Përpara pandemisë, ajo punonte si shitëse në rrugë, por që atëherë e ka humbur punën.

Damian Diaz dhe Othon Nolasco kanë ndihmuar njerëz si zonja Merced gjatë vitit të kaluar. Dy burrat krijuan organizatën bamirëse jofitimprurëse “Nuk ekzistojmë pa ju” në mars 2020, kur Los Anxhelosi dha udhëzimet e para për masat izoluese ndaj COVID-19ës.

“Hoqëm nga të ardhurat tona dhe filluam të ndihmojmë dhjetë familje me paratë tona. Në vazhdim u zgjerua me shpejtësi dhe jam i lumtur që sot, 11 muaj më pas, po ndihmojmë mbi 1600 familje në javë”, thotë zoti Diaz.

Emigrantët pa dokumenta përbëjnë mbi 10% të punonjësve të restoranteve, sipas të dhënave të Qendrës Kërkimore Pew. Shumë prej tyre paguajnë taksa për të ardhurat, por nuk kualifikohen për ndihmë nga qeveria.

Zoti Diaz mendon se kjo është e padrejtë. Por, të tjerë besojnë se njerëzit që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa dokumenta nuk duhet të përfitojnë nga programet e ndihmës për shtetasit.

“Kemi mjaft njerëz në vendin tonë, të cilët votojnë, të cilët janë të papunë, nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë, nuk paguajnë dot qeranë dhe faturat. Përse duhet të ngrihemi dhe të ndihmojmë ata që po pushtojnë vendin tonë? Mendoj se duhet të ndalemi”, thotë zonja Gibboney.

Rreth 11 milionë njerëz vlerësohet se jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa status ligjor, por që megjithatë bëjnë punë që shumica e amerikanëve nuk i dëshirojnë.

“Nuk jemi kriminelë, nuk jemi vrasës. Jemi njerëz që kërkojmë punë. Erdhëm në këtë vend për një jetë më të sigurtë”, thotë zonja Merced.

Për t’iu shprehur mirënjohjen vullnetarëve, ajo sjell gatimet e saj. Organizata “Nuk ekzistojmë pa ju” ndihmon rreth shtatë mijë njerëz në muaj me furnizime bazë ushqimore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat