Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë: SHBA të investojë fuqimisht që të mbetet ekonomia nr. 1

Amerika

Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë: SHBA të investojë fuqimisht që të mbetet ekonomia nr. 1

Më: 7 prill 2021 Në ora: 06:34
Cecilia Rouse

Shtetet e Bashkuara duhet të investojnë fuqimisht në përgatitjen e kapitalit njerëzor, modernizimin e infrastrukturës si dhe në kërkim-zhvillim për të mbetur të afta për konkurrencë dhe për të ruajtur statusin si ekonomia më e madhe e botës, tha të martën shefja e këshilltarëve ekonomikë të Shtëpisë të Bardhë, Cecilia Rouse.

Investimet amerikane në kërkim-zhvillim kanë rënë mbi 30% në raport me prodhimin ekonomik që nga viti 1960, ndërsa shpenzimet në infrastrukturë janë përgjysmuar në 50 vitet e fundit, tha zonja Rouse në një diskutim në Uashington.

Ajo shtoi se SHBA renditen “në vend të fundit fare” në shpenzimet për përgatitjen e kapitalit njerëzor krahasuar me ekonomitë e zhvilluara.

Presidenti Joe Biden siguroi miratimin e paketës së tij kundër koronavirusit dhe tani po përpiqet të sigurojë aprovimin e paketës me vlerë 2.3 trilionë dollarë për investime në infrastrukturë që premton të hapë miliona vende pune.

"Nuk kemi bërë investime në nivelin që e dimë se duhet të bëjmë nëse duam të ruajmë statusin e ekonomisë numër 1 në botë,” tha zonja Rouse, duke shtuar se nevojiten shpenzime qeveritare për të adresuar edhe probleme të tjera, si ndryshimet klimatike.

Ajo tha se Presidenti Biden beson se situata aktuale përfaqëson një test për demokracinë dhe për aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të ruajtur kapacitetin konkurrues në garën teknologjike me Kinën.

Muajin e kaluar, Presidenti Biden tha se nuk do të lejonte që Kina t’ia kalonte Shteteve të Bashkuara duke u bërë vendi më i fuqishëm në botë dhe se mbetej i bindur se demokracia, jo autokracia, ishte çelësi i suksesit për të ardhmen.

"Ne e dimë se kemi sfida të mëdha përpara. A mundet një vend demokratik, i orgaanizuar mbi një sistem demokratik të mobilizohet për të bërë ato investime që nevojiten, apo këto gjëra bëhen në një shoqëri si Kina me një regjim autokrat,” ngriti pyetjen këshilltarja e lartë Rouse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat