A ka krizë në kufirin SHBA-Meksikë?

Amerika

A ka krizë në kufirin SHBA-Meksikë?

Më: 8 prill 2021 Në ora: 22:25
SHBA-Meksikë

Gati 19 mijë fëmijë që po udhëtonin të vetëm u ndaluan në kufirin meksikan gjatë muajit mars, duke tejkaluar shifrat rekord të regjistruara në periudha të mëhershme të emigrimit masiv të fëmijëve në vitet 2014-2019.

A është kjo një krizë? Emigrimi në SHBA nga Meksika është shtuar shumë për të tretën herë në shtatë vite në kohë të një presidenti republikan dhe një tjetri demokrat – por për arsye të ngjashme.

Cilat janë ndryshimet në emigracion që kur Joe Biden u bë president?

Sipas ndalimeve në kufi – një matës jo i përsosur që përdoret gjerësisht për të treguar se sa herë autoritetet amerikane kanë hasur në emigrantë – gjatë muajve të fundit kur Donald Trump ishte president numri i imigrantëve është rritur ndjeshëm, nga 17,106 prillin e kaluar në 74,108 në dhjetor. Shifrat u rritën gjatë muajve të parë në detyrë të Presidentit Joe Biden. Numri i të ndaluarve në mars ishte 172,000, një rritje nga rreth 100,000 sa ishin muajin e kaluar dhe shifra më e lartë që nga marsi 2001.

Megjithatë, kjo është vetëm njëra pjesë e tablosë së përgjithshme.

Ata që arrijnë ta kalojnë kufirin është një matës ndoshta edhe më i rëndësishëm se sa numri i atyre që përpiqen.

Të rriturit meksikanë shkaktuan shtimin e vitit të kaluar, që ishte një nga rritjet më të mëdha të emigracionit në historinë e Shteteve të Bashkuara, nga viti 1965 e deri në recesionin e madh të vitit 2008. Në mars 2020, administrata Trump prezantoi mekanizma që arsyetoheshin me pandeminë për të dëbuar menjëherë njerëzit nga Shtetet e Bashkuara pa një mundësi për të kërkuar azil. Duke mos pasur asnjë pasojë, meksikanët vazhduan përpjekjet derisa ia dolën.

Rreth 28 për qind e të dëbuarve në muajin në mars ishin dëbuar edhe më parë, sipas zyrtarëve të administratës Biden, krahasuar me 7 për qind të normës së ritentimeve para pandemisë në periudhën 12 mujore që përfundoi në shtator 2019.

Mes të rriturve meksikanë, përqindja e atyre që riprovuan hyrjen në SHBA ishte 48 për qind, gjatë një shtrirjeje dy javore të vitit të kaluar në San Diego.

Familjet dhe fëmijët që udhëtojnë vetëm, të cilët kanë një mburojë ligjore dhe ndaj tyre kërkohet kujdes më i madh, po shtohen pas ardhjes së zotit Biden në krye të vendit. Ata përbëjnë më shumë se 40 për qind të të gjithë të ardhurve në mars, nga 13 për qind sa ishte tre muaj më parë.

Autoritetet hasën në 18,890 fëmijë të pashoqëruar gjatë marsit, shumë më tepër se nivelet e mëparshme prej 11,475 sa ishte në maj 2019 dhe 10,620 në qershor të vitit 2014, shifra këto të raportuara nga Patrulla Kufitare, e cila filloi me publikimin e numrave nga vitit 2009.

Përse familjet dhe fëmijët po vijnë tani?

Është e ndërlikuar. Banorët e Amerikës Qendrore kanë ikur nga varfëria dhe dhuna të paktën që nga luftërat e viteve 80. Uragani Eta në nëntor dhe uria dhanë një impuls të ri për disa banorë në Guatemala dhe Honduras.

Emigrantët udhëhiqen edhe nga ndryshimet në politikat e Shteteve të Bashkuara – qofshin ato të vërteta apo të perceptuara. Joe Biden përjashtoi fëmijët e pashoqëruar nga dëbimet për shkak të pandemisë, duke u mundësuar atyre qëndrimin në SHBA për të ndjekur azilin.

Rreth një në tre familje të kapura në kufi gjatë marsit u dëbuan, gjë që solli më shumë familje në kufi me shpresën se mund të qëndrojnë në SHBA. Autoritetet meksikane refuzuan marrjen pas të familjeve me fëmijë të moshës nën 6 vjeç në Rio Grande të Teksasit, korridori me numrin më të lartë të kalimeve të jashtëligjshme të kufirit. Kjo gjë shtyu autoritetet amerikane të fillojnë fluturime të përditshme në El Paso të Teksasit dhe San Diego për të dëbuar familjet nga atje.

Ndërsa mbajti në fuqi mekanizmin për dëbime për shkak të pandemisë të zotit Trump, Presidenti Biden i përmbysi politika të tjera që i quajti mizore dhe çnjerëzore, duke vënë kështu në jetë premtimet e fushatës.

Zoti Trump, në kundërpërgjigje të rritjes së numrit të familjeve dhe fëmijëve në kufi nga Amerika Qendrore që arriti kulmin në maj 2019, zgjeroi politikën e tij të quajtur “Qëndro në Meksikë”, duke detyruar azilkërkuesit të presin në Meksikë për seancat në gjykatën e emigracionit në ShBA. Pa dyshim kjo ishte metodë e efektshme në ndalimin e azilit – më pak se 1 për qind fituan çështjet e tyre, sipas të dhënave të Universitetit Syracuse - por azilkërkuesit ishin të ekspozuar ndaj dhunës në Meksikë, argumentojnë grupi i avokatëve “Human Rights First” dhe të tjerë. Në Meksikë ishte shumë e vështirë gjetja e një avokati.

Disa politika tjera të kohës së Presidentit Trump përfshinin procedura të shpejta të azilit brenda strukturave të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit në SHBA, në raste ku qasja tek avokatët ishte e pamundur. Po ashtu u arritën marrëveshje me Guatemalën, Hondurasin dhe El Salvadorin që SHBA të dërgonte azilkërkuesit në vendet e Amerikës Qendrore me mundësi që të mbrohen atje.

Çfarë po bën administrata Biden?

Objektet për mbaJtje për një afat të shkurtër në kufi janë të mbingarkuara: Më shumë se 4,000 prindër dhe fëmijë, kryesisht fëmijë të pashoqëruar, po mbahen në një kompleks çadrash në Donna të Teksasit të krijuar për strehimin e 250 njerëzve. Javën e kaluar më shumë se 600 fëmijë ishin vendosur në dhoma të ndara me mure plastike me kapacitet për 32 persona.

Për të adresuar këtë çështje, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale në SHBA, që për shumë kohë kujdeset për fëmijët, ka arritur një mori marrëveshjesh për të zhvendosur fëmijët e pashoqëruar në vende më të përshtatshme ndërsa zyrtarët po bëjnë marrëveshje për t’i dërguar ata tek “sponsorët” në Shtetet e Bashkuara, që zakonisht janë të afërm të tyre. Qendrat e reja të mbajtjes ndodhen në Dallas dhe San Dieo, një stadium në San Antonio dhe baza e ushtrisë Fort Bliss në El Paso të Teksasit. Qyteti Long Beach në Kaliforni u pajtua të martën të strehonte deri në 1 mijë persona në një qendër të tij.

Ndihmësit e zotit Biden po shpejtojnë bashkimin e fëmijëve me prindër ose të afërmit në Shtetet e Bashkuara, pjesërisht duke mbuluar shpenzimet për bileta avionit.

Zakonisht njerëzit lejohen të futen në ShBA pasi u jepet njoftimi për t’u paraqitur në gjykatën e emigracionit. Por në Luginën Rio Grande, Patrulla Kufitare ndaloi lëshimin e njoftimeve gjyqësore për shumë familje emigrantësh gjatë marsit me qëllim të kursimit të kohës, duke urdhëruar ata që të paraqiten në Zyrën e Emigracionit dhe Forcave Doganore në më pak se 60 ditë.

Administrata Biden po kërkon 4 miliardë dollarë për shkaktarët kryesorë të emigrimit nga Amerika Qendrore, ndërsa po shtohen përpjekjet që fëmijët të kërkojnë azil nga shtëpitë e tyre në vend se të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm për në kufirin e ShBA-së.

Muajin e kaluar, Presidenti Biden e caktoi Nënpresidenten Kamala Harris për të udhëhequr përgjigjen e SHBA-së ndaj kësaj dukurie./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat