Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin viziton Izraelin

Amerika

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin viziton Izraelin

Më: 11 prill 2021 Në ora: 19:16
Lloyd Austin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin mbërriti në Izrael të dielën, ndalesa e tij e parë në një udhëtim dyditor në vendin e Lindjes së Mesme.

"Pres të kemi diskutime serioze me miqtë tanë izraelitë mbi çështjet e sigurisë rajonale. E vlerësoj se Izraeli është një partner kryesor strategjik", shkruante Sekretari Austin në Twitter.

Zoti Austin është anëtari i parë i nivelit të lartë i kabinetit të Presidentit të SHBA-së Joe Biden që shkon në Izrael që nga njoftimi i administratës amerikane për rigjallërimin e bisedimeve për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

Sekretari Austin është planifikuar të takohet me homologun e tij izraelit Benny Gantz të dielën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka qenë një kritik i vendosur i marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe mirëpriti tërheqjen e ish-Presidentit Donald Trump për paktin.

Javën e kaluar, zoti Netanyahu tha se një marrëveshje me Iranin "do të hapte rrugën për armët bërthamore - që kërcënojnë zhdukjen tonë."

Presidenti iranian Hassan Rouhani ka njoftuar përurimin e 164 centrifugave IR-6 për prodhimin e uraniumit të pasuruar, si dhe centrifugave prove për pasurimin e uraniumit në kompleksin Natanz të Iranit, në një ceremoni të transmetuar nga televizioni shtetëror./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat