Biden, ligjvënësit, homazhe për policin e vrarë të Kapitolit

Amerika

Biden, ligjvënësit, homazhe për policin e vrarë të Kapitolit

Më: 14 prill 2021 Në ora: 00:27
Joe Biden

Presidenti Joe Biden dhe ligjvënësit amerikanë të martën i bënë homazhe në një ceremoni në Kongres oficerit të Policisë së Kapitolit, i cili humbi jetën në një incident në fillim të këtij muaji, në të cilin një person goditi me makinë dy policë dhe më pas u përpoq të sulmonte me thikë policët e tjerë.

William Evans, anëtar i Policisë së Kapitolit me 18 vjet përvojë dhe baba i dy fëmijëve të vegjël, vdiq në spital pasi u godit nga automjeti më 2 prill.

Arkivoli i tij i mbështjellë me flamurin amerikan, i vendosur në mes të rotundës së ndërtesës së kongresit, u rrethua nga një numër i të pranishmëve, përfshirë anëtarët e familjes së zotit Evans.

Presidenti Biden tha para tyre: "Ju do ta tejkaloni dhimbjen duke përqafuar dhe inkurajuar njëri-tjetrin", duke iu referuar dhimbjes së tij kur ai humbi një anëtar të familjes së tij. "Lutja ime për të gjithë ju është që të vijë dita kur kujtimi i tij t'ju bëjë të buzëqeshni. Unë ju premtoj se ai moment do të vijë".

Menjëherë pas komentit, Presidenti Biden shkoi tek anëtarët e familjes Evans dhe i dha djalit të zotit Evans një objekt që dukej si monedhë e madhe ose medalion.

Një kor ushtarak interpretoi këngën "Ura mbi Ujin e trazuar", ndërkohë që Shannon Terranova, nëna e fëmijëve të policit Evans, vajtonte, ndërsa vajza e saj 7 vjeçare, Abigail, përpiqej ta ngushëllonte.

Vendosja në ndërtesën e Kongresit e arkivolit të një personi për homazhe nga publiku, është një nga nderimet më të larta të mundshme që Kongresi ofron për një qytetar të thjeshtë. Vetëm pesë persona të tjerë kanë marrë këtë nderim që nga krijimi i kësaj ceremonie në 1998.

Tre prej tyre ishin oficerë të Policisë së Kapitolit që vdiqën në protesta të dhunshme në Kapitol, përfshirë oficerin Brian Sicknick, i cili vdiq nga plagët e marra më 6 janar, kur qindra mbështetës të ish Presidentit Donald Trump sulmuan institucionin.

Një oficer tjetër i policisë, u plagos në incidentin e goditjes me makinë. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat