SHBA, propozimi për zgjerimin e Gjykatës së Lartë pritet ftohtë

Amerika

SHBA, propozimi për zgjerimin e Gjykatës së Lartë pritet ftohtë

Më: 15 prill 2021 Në ora: 18:36
SHBA

Një grup ligjvënësish demokratë të krahut liberal propozoi të enjten zgjerimin e Gjykatës së Lartë të SHBA me katër gjyqtarë të tjerë, me synimin për t’i dhënë fund shumicës së saj konservatore, por plani u prit pa entuziazëm nga disa demokratë me peshë dhe u dënua nga republikanët.

Senatori Ed Markey dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Jerrold Nadler, Hank Johnson dhe Mondaire Jones paraqitën në të dyja dhomat e Kongresit projektin për shtimin e numrit të gjyqtarëve nga nëntë në 13.

Senatori Markey tha se kjo do të "rikthente ekuilibrin" në gjykatë. Ish Presidenti republikan Donald Trump mundi të emërojë tre gjyqtarë gjatë katër viteve të tij në detyrë, duke i dhënë gjykatës një shumicë konservatore 6 me 3.

"Republikanët e Senatit e kanë politizuar Gjykatën e Lartë, minuan legjitimitetin e saj dhe kërcënuan të drejtat e miliona amerikanëve," tha senatori në një deklaratë.

Presidenti demokrat Joe Biden, krijoi të premten e kaluar një komision dypartiak për të studiuar ndryshimet e mundshme në Gjykatën e Lartë, duke përfshirë zgjerimin ose vendosjen e kufijve në mandatin e anëtarëve, të cilët emërohen për jetë. Zoti Biden i dha komisionit 180 ditë afat për të hartuar një raport.

Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë ka mbetur nëntë që nga viti 1869. Kongresi ka fuqinë të ndryshojë numrin dhe e ka bërë këtë disa herë para atij viti. Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaquesve por me diferencë mjaft të vogël. Senati është i ndarë 50-50 dhe në një votim në linja partiake atyre u duhet vota e Nënpresidentes Kamala Harris. Pjesa më e madhe e ligjeve kërkojnë 60 vota për t’u miratuar në Senat.

Zgjerimi i gjykatës, një ide popullore në mesin e disa liberalëve dhe aktivistëve të majtë, nuk ka tërhequr mbështetje të gjerë. Disa udhëheqës demokratë shprehin pasiguri, ndërsa republikanët e kundërshtojnë vendosmërisht këtë ide.

Kryetarja demokrate e Dhomës, Nancy Pelosi, shprehu rezerva, duke thënë se ajo favorizon propozimin e Presidentit Biden për ta studiuar çështjen.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, demokrati Dik Durbin, e kundërshtoi idenë për ta shtruar legjislacionin përkatës për votim në komisionin që ai kryeson.

"Unë nuk jam ende gati të nënshkruaj. Mendoj se komisioni i propozuar nga Presidenti Biden është veprimi i duhur," tha Senatori Durbin.

Kreu republikan i senatit Mitch McConnell e dënoi projektin si një mjet i demokratëve “për të shkatërruar legjitimitetin e Gjykatës dhe për të garantuar vendimet që duan liberalët".

Disa demokratë dhe aktivistë liberalë kanë thënë se të gjitha opsionet, përfshirë zgjerimin, duhet të merren parasysh, për të kundërshtuar rrënjosjen në gjykatë të një shumice konservatore që mund të kërcënojë të drejtat e abortit, të drejtat civile, kontrollin e armëve dhe aksesin në kujdesin shëndetësor në vitet e ardhshme.

Demokratët i akuzuan republikanët për "vjedhje" të një vendi në Gjykatën e Lartë në vitin 2016 kur Senati, i kontrolluar nga republikanët, refuzoi të shqyrtonte emërimin nga Presidenti demokrat Barack Obama të juristit Merrick Garland për të plotësuar vendin e mbetur bosh nga vdekja e anëtarit konservator Antonin Scalia. Në vitin 2017, ish-Presidenti Trump mundi të plotësonte një tjetër vend të mbetur bosh me një jurist konservator.

Demokratët akuzuan republikanët për hipokrizi vitin e kaluar kur Senati konfirmoi me nxitim emërimin nga ish Presidenti Trump të juristes konservatore Amy Coney Barrett një javë para zgjedhjeve presidenciale pas vdekjes së anëtares liberale Ruth Bader Ginsburg muajin paraardhës.

"Republikanët vodhën shumicën e gjykatës, me konfirmimin e gjyqtares Amy Coney Barrett duke e çuar deri në fund serinë e tyre të krimeve," tha senatori Markey.

Një kufizim i mandateve të anëtarëve ka të ngjarë të kërkojë një amendament kushtetues, megjithëse disa studiues kanë propozuar mënyra për ta realizuar këtë përmes statutit të Gjykatës së Lartë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat