Minesota, del para gjykatës ish-oficerja e policisë

Amerika

Minesota, del para gjykatës ish-oficerja e policisë

Më: 15 prill 2021 Në ora: 22:19
Minesota

Ish-punonjësja e policisë së Minesotës, e akuzuar për vrasjen pa paparamendim të një të riu 20-vjeçar afrikano-amerikan, bëri paraqitjen e saj të parë në gjykatë të enjten ndërsa familjarë të viktimës bënë thirrje për "përgjegjësi të plotë" për vdekjen e tij.

Gjatë seancës së sotme 48 vjeçares Kim Potter, nuk iu bënë pyetje lidhur me ngjarjen.

Gjykatësi i qarkut Hennepin, Paul Scoggin caktoi si datë të ardhshme të procesit 17 majin. Zonja Potter do të gjykohet në liri pas pagesës së një garancie prej 100,000 dollarësh.

Duke akuzuar policen Potter për vrasje të shkallës së dytë, prokurorët do të përpiqen të provojnë se veprimet e saj ishin "neglizhencë e dënueshme" dhe se ajo ndërmori një "rrezik të paarsyeshëm" duke qëlluar ndaj zotit Wright, në qytetin Brooklyn Center.

Nëse dënohet, zonja Potter, do të përballet me një dënim maksimal prej 10 vitesh burg dhe një gjobë prej 20,000 dollarësh.

Avokati i zonjës Potter, Earl Grey, nuk iu përgjigj kërkesave për koment para seancës. Para seancës dëgjimore, familja Wright dhe avokatët e tyre u mblodhën në një kishë në Mineapolis, ku të enjten e ardhshme do të zhvillohet varrimi i 20 vjeçarit, baba e një djali 2-vjeçar. Familjarët kërkuan një procedim penal agresiv ndaj zonjës Potter.

Pamjet filmike të policisë lidhur me ngjarjen tregojnë zonjën Potter që kërcënon të trullosë zotin Wright me paralizuesin e saj elektrik, përpara se ta qëllonte atë me pistoletë. Ish-shefi i policisë së Brooklyn Center Tim Gannon, i cili gjithashtu dha dorëheqjen të martën, tha se ajo gabimisht kishte përdorur armën në vend të paralizuesit.

Ngjarja ndodh ndërsa në këtë shtet po zhvillohet gjyqi ndaj ish-oficerit të të policisë së Mineapolisit, Derek Chauvin, i akuzuar për vrasjen në maj të 2020 të afrikano-amerikanit George Floyd, duke përshkallëzuar më tej tensionet.

Qindra protestues u mblodhën të mërkurën jashtë rajonit të policisë së Brooklyn Center në natën e katërt të protestave. Mbi 20 vetë u arrestuan dhe ndaj tyre u ngritën akuza, përfshirë ato për shkelje të ndalim-qarkullimit. Por policia tha se protestat ishin më të vogla dhe më paqësore se të martën në mbrëmje, kur u arrestuan 72 persona./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat