U vaksinuan me vaksina kineze, por në Kili infektimet e reja arrijnë rekorde

Amerika

U vaksinuan me vaksina kineze, por në Kili infektimet e reja arrijnë rekorde

Më: 16 prill 2021 Në ora: 13:53
Ilustrim

Ministri i Shëndetësisë i Kilit, Enrique, ka komunikuar shifra të zymta ditët e fundit gjatë konferenca për shtyp në lidhje me Covid-19.

Numri i rasteve të reja të infeksioneve arriti një rekord të ri më 9 prill, duke shkuar mbi 9000 raste për herë të parë që nga fillimi i pandemisë dhe konsiderueshëm më lartë se rekordi i mëparshëm, që ishte pak më poshtë se 7000 raste në mes të qershorit.

‘Është shqetësuese’, tha ai të premten e kaluar. ‘Po kalojmë një moment kritik të pandemisë... ju bëj thirrje të kujdeseni për veten, të dashurit dhe familjet tuaja’.

Repartet e reanimacionit janë sërish plot, vendi ka mbyllur për herë të dytë kufijtë për të gjithë ata që nuk janë rezidentë dhe shumica e 18 milion banorëve janë në lockdown.

‘Duket sikur po kthehemi prapa’, thotë banorja e Santiagos, Sofía Pinto. ‘Na duhet të marrim leje speciale online për të dalë vetëm dy herë në javë për gjëra thelbësore, si blerje ushqimesh apo vizita te mjeku’.

Stresi dhe konfuzioni që shumë kilianë po provojnë tani vjen edhe për shkak se vetëm dy muaj më parë Presidenti Sebastian Pinera mburrej që Kili ishte ndër vendet e vaksinuara më shpejt.

Çfarë shkoi keq?

Kritikët akuzojnë qeverinë se festoi para kohe për vaksinimin me vaksinat kineze dhe i liroi shumë shpejt masat shtrënguese. Ashtu si me shumë qeveri të tjera në botë, edhe këtu ministrat kanë qenë para zgjedhjeve të vështira.

Kufijtë e Kilit kanë qenë të mbyllur -me përjashtim të pak rasteve -nga marsi në nëntor 2020. Por, pasi një lockdown i rreptë e çoi mesataren ditore në nën 1300 në nëntor, u vendos hapja e kufijve, përfshirë edhe për turistët e huaj.

Kilianët u lejuan të udhëtonin lirshëm në vend gjatë verës, që në hemisferën jugore është në muajt e dimrit për ne, gjë që ekspertët e shihnin si të rëndësishme për shëndetin mendor të njerëzve.

Restorantet, dyqanet, hotelet u rihapën për të rinisur ekonominë në rënie.

Dhe ndërsa shpërndarja e vaksinave kineze ka qenë vërtet e shpejtë, ajo nisi vetëm në fund të dhjetorit, fillimisht me punonjësit e shëndetësisë, moshat mbi 90 vjeç dhe mësuesit.

Kështu që shumica e kilianëve nuk ishin të vaksinuar kur u takuan me miq e farefis për pushimet verore në janar e shkurt.

Shtoni këtu edhe përhapjen e varianteve të rinj të virusit, si për shembull P1, i cili shpërtheu në nëntor në shtetin Amazona të Brazilit.

Dr. Susan Bueno, profesore e imunologjisë në Universitetin Katolik Pontifik thotë se vala e fundit vjen nga shumë faktorë, por mendon se variantet e reja kanë ndikim të madh.

Ajo shton se mesazhet se si mund të parandalohej infektimi, si maskat apo larja e duarve, u injoruan disi gjatë muajve të verës dhe kjo është një tjetër arsye për shpërthimin e tanishëm.

Konfuzioni me CoronaVac

Ka pasur edhe konfuzion edhe për efikasitetin e vaksinës që ka marrë shumica e popullsisë, shton

Prof Bueno. Mbi 93% e doza të injektuar në Kili deri tani kanë qenë CoronaVac, prodhuar nga kompania pekineze Sinovac.

Të dhënat mbi efikasitetin e CoronaVac janë të ndryshme. Testimet braziliane dhanë një rezultat efikasiteti rreth 50.4% , ndërsa rezultatet e testimeve më të fundit në Indonezi e Turqi ishin shumë të larta, midis 65% e 83%.

Në Kili, CoronaVac ishte 56.5% efektive në mbrojtjen e njerëzve dy javë pasi kishin marrë dozën e dytë, por shifra ishte vetëm 3% në periudhën midis dozës së parë e të dytë.

Kjo mund të japë një ide të rëndësishme se pse rastet janë ende në rritje në Kili, ku mbi 7.6 milion njerëz kanë marrë dozën e parë, por numri i atyre që i kanë marrë të dyja është shumë më i ulët.

Rektori i Universitit të Kilit, Ennio Vivaldi, tha se doza e parë e CoronaVac më vete nuk kishte ndonjë ‘efekt të rëndësishëm’.

Doza e dytë është kyç

Për këtë arsye, Prof Bueno, që është drejtore shkencore e testimeve klinike për vaksinat CoronaVac në Kili thotë se marrja e dy dozave është e rëndësisë më të madhe. ‘Vetëm një dozë nuk jep përgjigjen e pritshme parandaluese’, shpjegon ajo.

Shumë kilianë shqetësohen për efikasitetin e CoronaVac. Gonzalo Sir është një prej tyre. Ai ka shkuar te një nga qendrat e pakta të kryeqytetit që ofrojnë vaksinën Pfizer.

‘Unë dua atë, sepse kam dëgjuar që është më efektive dhe unë e kam të nevojshme sepse udhëtoj për arsye pune dhe Pfizer është e njohur më gjerësisht’, thotë.

Por Prof Bueno, që analizon të dhënat shkencore, këmbëngul që ato tregojnë se CoronaVac funksionon. Ajo thotë se në testimet që treguan efikasitet rreth 50%, shumë nga ata që u infektuan kishin vetëm simptoma të buta ose ishin simptomatikë. Ajo thekson se është e rëndësishme që asnjë nga të testuarit nuk pati nevojë të shkonte në reanimacion.

Bueno këmbëngul që CoronaVac parandalon vdekjet dhe sëmundjen e rëndë, si dhe po rezulton efektive kundër variantit brazilian.

Teksa një numër në rritje kilianësh po vaksinohen, duket se edhe mesazhi për rëndësinë e vaksinimit po funksionon.

‘Është jetike të marrim vaksinën dhe për mua nuk ka rëndësi se cilën marr’, thotë Veronica Perez, e vaksinuar së fundmi me CoronaVac. ‘Të gjitha ato ndihmojnë për të shpëtuar jetë’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat