Amerikani që mblodhi fonde për të ndihmuar fqinjtë gjatë pandemisë, po përballet me borxh të madh tatimor

Amerika

Amerikani që mblodhi fonde për të ndihmuar fqinjtë gjatë pandemisë, po përballet me borxh të madh tatimor

Më: 18 prill 2021 Në ora: 11:12
Louis Goffinet

Një mësues i një shkolle të mesme në Connecticut i cili kishte mbledhur 41 mijë dollarë për të ndihmuar qindra fqinjët të tij në vështirësi gjatë pandemisë së COVID-19, ka marrë një befasi të pakëndshme për angazhimin e tij bamirës: një letër ku thuhet se mund të ketë borxh deri në 16.031 dollarë nga tatimi në të hyra, raporton AP.

Louis Goffinet 27-vjeçar nga Mansfieldi, nisi të blinte ushqime për fqinjët e moshuar që kishin frikë të dilnin në shitore gjatë ditëve të para të pandemisë, shpesh duke shpenzuar paratë e veta. Duke pasur parasysh kërkesën e madhe, ai më vonë organizoi dy fushata të mbledhjes së fondeve në Facebook gjatë vitit të kaluar me të cilat ndihmoi qindra familje me ushqime, para për qira dhe dhurata për festa, njofton “Hartford Courant”, duke krijuar një limit prej 200 dollarëve.

Goffinet ka thënë si përkrahja financiare për angazhimin e tij ashtu edhe kërkesa për ndihmë dolën të ishin më të mëdha sesa që ishte pritur fillimisht. Ai ka thënë se ka bërë deri 140 vizita nëpër shitore ushqimore, ka ofruar darka të premteve mbrëma për 125 familje, e po ashtu kuponë për dhurata për festa për 20 familje në mënyrë që ata të mund t’u blinin fëmijëve dhurata. Ka dhënë po ashtu 31 darka për Ditën e Falënderimeve e ka ndihmuar me qira pesë familje. Disa nga bizneset lokale kanë dhuruar ushqim.

Në janar, Facebook i ka dërguar atij “formën 1099” që thotë se ai ka borxh tatim në paratë që ka mbledhur. Facebook paralajmëron përdoruesit se paratë e mbledhura nga kampanjat për mbledhje të fondeve në platforma të rrjeteve sociale janë të tatueshme, nëse mblidhen më tepër se 20 mijë dollarë.

“Ishte shokuese. Mora një faturë në email për 16 mijë dollarë”, ka thënë Goffinet.

Goffinet tash po punon me një llogaritar për të shikuar se si do të merret me këtë situatë. Ai duhet të kryejë pagesën deri më 17 maj. Disa nga komuniteti po mundohen të ndihmojnë atë të paguajnë këtë obligim tatimor. I kanë dërguar çeqe deri 2000 dollarë nëpërmjet postës, e jo nëpërmjet Facebookut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat