Paralajmërimi i gjeneralit amerikan: Forcat afgane përballen me një dështim të mundshëm

Amerika

Paralajmërimi i gjeneralit amerikan: Forcat afgane përballen me një dështim të mundshëm

Më: 23 prill 2021 Në ora: 06:13
Ilustrim

Komandanti i Forcave Amerikane në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore thotë se tërheqja e forcave amerikane dhe atyre të koalicionit nga Afganistani mund të çojë në një kolaps përfundimtar të forcave të sigurisë së vetë këtij vendi.

Gjenerali i Komandës Qendrore amerikane Kenneth "Frank" McKenzie u tha ligjvënësve të enjten se prania e rreth 10,000 trupave amerikane dhe të koalicionit u ka mundësuar forcave afgane të sigurisë të ruajnë një balancë forcash me Talibanët, por që gjërat mund të ndryshojnë me shpejtësi kur ato të mbeten vetëm.

"Shqetësimi im lidhet me aftësinë e ushtrisë afgane për të garantuar terrenin aty ku ndodhet aktualisht, pa mbështetjen që është mësuar ta ketë prej shumë vitesh", u tha zoti McKenzie anëtarëve të Komisionit të Shërbimeve të Armatosura në Senat.

"Jam i shqetësuar për aftësinë e ushtrisë afgane për të rezistuar pasi ne të largohemi, mbi aftësinë e forcave të tyre ajrore në veçanti, pasi mbështetja që u japim të mos jetë më", tha zoti McKenzie, duke përmendur se SHBA-ja dhe NATO nuk po sigurojnë më mbështetje të drejtpërdrejtë për forcat afgane. "Janë ato gjëra të mundshme që në fakt u japin atyre një avantazh ndaj Talibanëve".

Analiza e zotit McKenzie bie në kundërshtim me garancitë që kanë dhënë zyrtarë të tjerë amerikanë si dhe Presidenti afgan Ashraf Ghani, i cili në një postim në Twitter shprehu besim tek forcat e vendit të tij.

"Forcat krenare të sigurisë dhe mbrojtjes të Afganistanit janë plotësisht të afta të mbrojnë popullin dhe vendin e tyre, gjë që ata e kanë bërë gjatë gjithë kohës", shkruante zoti Ghani javën e kaluar.

Shqetësimi në lidhje me forcat afgane të sigurisë dhe stabilitetin e ardhshëm të Afganistanit është rritur që kur Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi javën e kaluar, pas disa muajsh diskutimesh, se ai do të fillonte tërheqjen e forcave amerikane nga vendi duke filluar nga 1 maji.

"Është e rëndësishme që populli amerikan e kupton ta kuptojë se pasojat e kësaj nuk do të jenë të këndshme", tha senatori republikan Mike Rounds. "Ne do të dëgjojmë njoftime për mizorive në ato zona, të kryera nga Talibanët, nëse forcat kombëtare afgane nuk do të jenë në gjendje t’u rezistojnë”.

Kërcënim për rritje të akteve të dhunës

Shqetësime ka patur gjithashtu edhe në lidhje me sigurinë e forcave amerikane dhe atyre të koalicionit gjatë tërheqjes.

Disa ligjvënës dhe analistë thonë se ka gjasa për një sulm taliban gjatë tërheqjes së forcave amerikane, duke përmendur kërcënimet nga zyrtarët talibanë se "problemet me sigurinë do të ndërlikohen" nëse trupat amerikane nuk u përmbahen kushteve origjinale të marrëveshjes duke u larguar nga Afganistani deri më 1 maj.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se planifikimi dhe koordinimi me qeverinë afgane dhe aleatët e tjerë është ende në proces, por zoti McKenzie tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të jenë gati.

"Ne do të kemi aftësi shtesë dhe unë kam besim se ne dhe partnerët tanë të koalicionit do të jemi në gjendje të dalim", u tha ai ligjvënësve të enjten. "Ne jemi të përgatitur nëse Talibanët duan të na qëllojnë".

Por zoti McKenzie tha se shqetësimi më i madh është ajo që do të ndodhë me forcat afgane të sigurisë pasi të jenë larguar forcat amerikane dhe ato të NATO-s, duke pohuar se Talibanët kanë të paktën 50,000 luftëtarë në dispozicion dhe kontrollojnë më shumë territor aktualisht sesa një dekadë më parë.

"Nëse ne nuk u sigurojmë atyre (forcave afgane) mbështetje, ata me siguri do të shkatërrohen dhe kjo nuk është në interesin tonë më të mirë", tha ai.

Këto shqetësime nuk janë të reja. Inspektori i Posaçëm i Përgjithshëm aamerikan për Rindërtimin e Afganistanit (SIGAR), John Sopko, paralajmëroi në mars se pa ndihmën e SHBA-së dhe ndërkombëtarëve e në mungesë të një marrëveshje paqeje të qëndrueshme "forcat talibane mund të jenë në portat e Kabulit sa hap e mbyll sytë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat