Republikanët shtojnë presionin ndaj ligjvënëses Liz Cheney

Amerika

Republikanët shtojnë presionin ndaj ligjvënëses Liz Cheney

Më: 5 maj 2021 Në ora: 00:12
Liz Cheney

Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy shtoi presionin mbi ligjvënësen e tretë më të fuqishme të republikanëve, Liz Cheney të martën, duke pretenduar se në radhët e republikanëve ka shqetësime lidhur me "aftësinë e saj për të kryer punën".

Komentet e zotit McCarthy në kanalin Fox News u bënë pasi zonja Cheney shkëmbeu replika fyese me ish Presidentin Donald Trump. Komentet nxjerrin në pah kontrollin e vazhdueshëm, e ndoshta në rritje, që ish-presidenti Trump ka mbi republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve.

Në vend që të mbështeste ligjvënësen Cheney - siç bëri gjatë një përpjekjeje të dështuar për ta shkarkuar atë në shkurt nga posti i kryetares së Konferencës Republikane në Kongres - McCarthy në thelb u rreshtua në kampin e kritikëve të saj.

Image
McCarthy

Pozicionimi i tij me kundërshtarët e saj dhe sulmet e tyre gjithnjë e më të hapura lenë të kuptohet se mbajtja e detyrës së saj drejtuese mund të jetë përsëri në rrezik. "Kam dëgjuar nga anëtarë republikanë që janë të shqetësuar për aftësinë e saj për të kryer detyrën si kryetare e konferencës, për të dhënë mesazhin tonë," tha zoti McCarthy, republikan nga Kalifornia. "Të gjithë duhet të punojmë si një për të qënë në gjendje të fitojmë shumicën. Mos harroni, shumica nuk jepet. Ajo fitohet." Komentet e zotit McCarthy vijnë ndërsa republikanët janë optimistë rreth shanseve të tyre për të marrë përsëri kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e vitit 2022.

Ata besojnë se ka një mori çështjesh që mund t’i përdorin kundër demokratëve në atë garë dhe dëshirojnë të përqëndohen tek kundërshtari, jo në përçarjet brenda partisë.

Por nga tani e deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, republikanët duhet të zgjidhin luftën për pushtet mes besnikëve pro-Trump në parti dhe atyre që besojnë se ai ka dëmtuar partinë dhe vendin duke pretenduar vazhdimisht - dhe në mënyrë të rreme - se zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar janë vjedhur.

Lufta midis ligjvënëses Cheney dhe kritikëve të saj është pasqyrim i kësaj beteje. Ajo gjithashtu i vë republikanët në një pozitë të vështirë duke kërkuar të përjashtojnë një ligjvënëse të rangut të lartë nga posti i saj drejtues në një kohë kur partia po përpiqet të ngushtojë avantazhin që kanë demokratët mes grave votuese.

Zoti McCarthy u intervistua një ditë pasi ish-Presidenti Trump ndërmori një ofensivë të re me deklaratat e tij. Gjykata të shumta shtetërore dhe federale dhe zyrtarë të zgjedhjeve lokale nuk kanë zbuluar asnjë provë mashtrimi të përhapur në votimin e vitit 2020.

Kritikët e Trumpit i kanë etiketuar pretendimet e tij "Gënjeshtra e Madhe", dhe ai lëshoi një deklaratë duke u përpjekur të vinte në lojë demokratët duke përdorur fjalët e tyre.

"Zgjedhjet Mashtruese Presidenciale të vitit 2020 do të njihen, që nga kjo ditë e tutje, si Gënjeshtra e Madhe!" shkroi ai.

Por zonja Cheney, republikane nga Uajoming u kundërpërgjigj. Ajo ishte në mesin e 10 republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve që votuan për të fajësuar Trumpin për rolin e tij në nxitjen e sulmit të 6 janarit nga mbështetësit e tij në Kapitol.

“Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 nuk u vodhën. Kushdo që pretendon një gjë të tillë përhap Gënjeshtrën e Madhe, duke injoruar shtetin ligjor dhe duke helmuar sistemin tonë demokratik, ”shkroi ajo.

Në përgjigje të zonjës Cheney, Trumpi lëshoi një deklaratë të re duke ritheksuar dëshirën e tij për ta parë atë të humbiste ndaj një republikani tjetër në zgjedhjet paraprake të vitit të ardhshëm dhe duke pretenduar se njerëzit në shtetin e saj "kurrë nuk e kanë pëlqyer atë".

Duke vënë në dukje përçarjen republikane, ligjvënësja Cheney e kritikoi përsëri Trumpin në një ngjarje donatorësh të Institutit American Entreprise ku mori pjesë gjatë fundjavës në Sea Island të shtetit Xhorxhia, sipas një personi me njohje për situatën që foli në kushte anonimiteti. "Ne nuk mund të përqafojmë nocionin se zgjedhjet u vodhën. Është një helm për demokracinë tonë ”, tha zonja Cheney, në komentet që u transmetuan së pari për kanalin CNN. "Ne nuk mund të lustrojmë atë që ndodhi më 6 janar apo të përjetësojmë gënjeshtrën e madhe të Trumpit. Është kërcënuese për demokracinë. Ajo që ai bëri në 6 janar është një vijë që nuk mund të kapërcehet”.

Në një pasqyrim tjetër të tensioneve të brendshme të partisë republikane, Cheney dhe McCarthy nuk janë paraqitur së bashku në konferencat për shtyp të udhëheqjes republikane në Dhomën e Përfaqësuesve për javë të tëra.

Republikanët besojnë se demokratët do të jenë të pafuqishëm të përballojnë sulmet për mënyrën e trajtimit të numrit të madh të migrantëve në kufi nga Presidenti Joe Biden dhe mos hapjen më shpejt të shkollave dhe bizneseve të mbyllura gjatë pandemisë.

Në shkurt, konservatorët e pakënaqur rreth konfrontimeve të zonjës Cheney me Trumpin dështuan të arrinin shumicën dërrmuese në një votim të fshehtë të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që synonte ta shkarkonte atë nga posti drejtues. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat