Pretendimet e rreme se Pres. Biden do të reduktojë ngrënien e mishit për amerikanët

Amerika

Pretendimet e rreme se Pres. Biden do të reduktojë ngrënien e mishit për amerikanët

Më: 9 maj 2021 Në ora: 19:21
Foto ilustrim

Disa ligjvënës republikanë dhe komentatorë konservatorë vazhdojnëtë pretendojnë në mënyrë të gabuar se plani i Presidentit Biden për klimën do të detyrojë amerikanët të hanë më pak mish të kuq. Materiali në vazhdim shqyrton se si mishi është përfshirë në betejën e fundit të luftës kulturore në vend.

Pretendimi se Presidenti Joe Biden kërkon të ndalojë konsumimin e mishit është i rremë dhe është kthyer në objekt memesh virale. Megjithatë, konservatorët, përfshi disa ligjvënës, vazhdojnë ta promovojnë atë.

Administrata e Presidentit Biden nuk ka synim të kufizojë konsumimin e mishit, tha Sekretari i Bujqësisë Tom Vilsack.

“Në botën politike lojëra dhe çështje të caktuara injektohen në debat, me diejni të plotë, se nuk ka një bazë faktike për çështjen.”

Gjithçka filloi me një titull të rremë në një tabloid britanik se plani i zotit Biden për klimën mund të kufizojë amerikanët të hanë vetëm një hamburger në muaj, kur, sipas të dhënave nga departamenti i bujqësisë, konsumi mesatar është tre hamburger në javë.

Në mënyrë të pa bazë, artikulli e lidhi propozimin e Presidentit Biden për trajtimin e ndryshimeve klimatike me një studim të vitit 2020 të Universitetit të Miçiganit, ku thuhet se përgjysmimi i konsumit të mishit nga amerikanët do të ulte emetimin e gazeve që krijojnë efektin serë me rreth 25% në vit deri në vitin 2030. Martin Heller është një prej autorëve të studimit.

“Është një lidhje e pavërtetë. Ne nuk kemi bërë asnjë sugjerim apo rekomandim për ndonjë politikë të caktuar. Me sa di unë, administrata Biden nuk i është referuar studimit tonë.”

Mes pretendimit të rremë, mishi u bë simbol i lirisë personale kundër tiranisë qeveritare, duke i përfshirë hamburgerat në betejën e fundit të luftës kulturore në vend. Tom Nealon, autor i librit “Food Fight and Culture War” foli me Zërin e Amerikës përmes sherbimit Skype.

“Të djathtët duan ta lidhin veten me Perëndimin Amerikan, buqësinë dhe maskulinitetin. Kështu që mishi dhe bifteku është bërë simbol.”

Me shtimin e ndërgjegjësimit rreth rolit të prodhimit të ushqimeve mes ndryshimeve klimatike, konsumimi i mishit mund të jetë politik. Një sondazh i vitit 2018 nga Gallupi tregon se 11% e liberalëve thonë se janë vegjetarianë, krahasuar me 2% të konservatorëve.

Rreziku është mjaft i vogël që vendi të mbetet pa mish. Sipas Departamentit të Bujqësisë, një amerikan konsumon mesatarisht 37 kilogram mish lope në vit.

Sidoqoftë, në vend ka filluar një prirje drejt alternativave me bazë bimore, që lehtësisht gjenden në restorante dhe supermarkete./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat