Biden kërkon bashkëpunim me Kongresin për rimëkëmbjen ekonomike

Amerika

Biden kërkon bashkëpunim me Kongresin për rimëkëmbjen ekonomike

Më: 10 maj 2021 Në ora: 20:08
Joe Biden

Presidenti Joe Biden takohet këtë javë me ligjvënësit në përpjekje për të gjetur gjuhë të përbashkët lidhur me planet e tij të rimëkëmbjes ekonomike. Në këto plane përfshihen shpenzime për infrastukturën, arsimin dhe kujdesin për fëmijët. Bisedimet vijnë ndërsa raporti i fundit i Departamentit të Punës tregonte shifra të dobëta të shtimit të vendeve të punës në muajin prill.

Ndërsa shifrat e fundit të vendeve të punës tregojnë se ekonomia ende ka një rrugë të gjatë rikuperimi nga pandemia, Presidenti Biden do të konsultohet këtë javë me ligjvënësit në përpjekje për miratimin e më shumë 4 trilion dollarë shpenzimeve në dy fusha, infrastrukturë dhe për familjet amerikane. Departamenti i Punës thotë se në muajin prill, shkalla e papunësisë u rrit në 6.1% nga 6% që ishte më parë.

Punëdhënësit amerikanë shtuan 266 mijë vende pune në prill, sipas zyrtarëve, shumë më pak se shifra prej 1 milion që pritej nga analistët. Presidenti Biden mbrojti përpjekjet e administratës së tij dhe paketën e madhe të rimëkëmbjes ekonomike të miratuar në mars pa mbështetjen e republikanëve.

“Paketa u krijua për të dhënë efekte gjatë një viti. Jo 60 ditë. Asnjëherë nuk kemi menduar se pas 50 ose 60 ditëve të para gjithçka do të ishte mirë”,tha Presidenti Biden.

Ka shumë mospajtime se pse shtimi i vendeve të punës ka qënë i ngadaltë. Disa ekspertë fajësojnë pengesa të tilla si mundësitë e kufizuara të familjeve për t’u kujdesur për fëmijët dhe fakti që shkollat që nuk janë hapur plotësisht. Kjo ka qënë problematike kryesisht për gratë.

Disa republikanë argumentojnë se pagesat për papunësinë janë shumë bujare dhe dekurajuese që njerëzit të kthehen në punë. Senatori republikan Pat Tommey përfaqëson Pensilvaninë.

“Përfitimet e papunësisë, që janë më shumë se fiton në punë një individ, nuk krijojnë një mjedis që është i favorshëm për kthimin në punë.”

Por disa grupe progresive thonë se problemi është se pagat janë shumë të ulta për shumë vende pune. Yvette Simpson drejton organizatën Demokraci për Amerikën (Democracy for America).

“Pagat janë shumë të vogla, njerëzit do të kthehen në punë nëse ofrohet një pagë për punëtorët, nëse ofrohet një pagë minimale jetese për njerëzit.”

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, tha javën e shkuar se Amerika do të ketë punësim të plotë vitin që vjen dhe se shifrat tregojnë se ende ka punë për të bërë.

Presidenti Biden thotë se rritja e dobët e vëndeve të punës e bën më urgjente miratimin e planeve të tij të shpenzimeve në infrastrukturë dhe për familjet amerikane. Të dy planet kërkojnë rritjen e taksave për të pasurit dhe korporatat. Shumë republikanë janë kundër./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat