SHBA, kundër kërkesës për takim të Këshillit të Sigurimit rreth shkallëzimit izraelito-palestinez

Amerika

SHBA, kundër kërkesës për takim të Këshillit të Sigurimit rreth shkallëzimit izraelito-palestinez

Më: 13 maj 2021 Në ora: 21:42
OKB

Shtetet e Bashkuara kundërshtuan një kërkesë të Kinës, Norvegjisë dhe Tunizisë për një takim publik, virtual të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të premten për të diskutuar mbi shkallëzimin e dhunës midis Izraelit dhe militantëve palestinezë, thanë diplomatët.

SHBA, aleate e ngushtë e Izraelit, përmendi përpjekjet diplomatike si arsye për kundërshtimin e kërkesës, duke thënë se një diskutim i Këshillit të Sigurimit nuk do të ishte produktiv, por lanë derën hapur për një takim të mundshëm të martën, sipas diplomatëve.

Megjithatë, Sekretari i shtetit Anthony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të hapura dhe mbështesin një diskutim të hapur në Kombet e Bashkuara rreth ngjarjeve në Izrael në fillim të javës së ardhshme.

Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht për të inkurajuar të gjitha palët të bëjnë një hap prapa dhe t'i rikthehen qetësisë.

Ai përsëriti se sulmet me raketa nga militantët palestinezë kundër Izraelit duhet të pushojnë dhe se SHBA janë shprehur qartë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten.

Zoti Blinken i bëri komentet në një konferencë të përbashkët me ministrin e jashtëm të Australisë.

Sekretari i Shtetit shtoi se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për humbjen e jetëve të shumë civilëve, veçanërisht fëmijëve.

Këshilli i Sigurimit prej 15 anëtarësh është takuar privatisht dy herë këtë javë lidhur me dhunën e re në rajon, më e rënda pas shumë vitesh, por deri tani nuk ka qenë në gjendje të lëshojë një deklaratë publike, sepse Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se kjo do të ishte e dobishme, thanë diplomatët.

Deklarata të tilla në Këshillin e Sigurimit bëhen me konsensus. Të 15 anëtarët e Këshillit gjithashtu duhet të bien dakord për një takim sipas rregullave për operacionet virtuale, si masë ndaj pandemisë së COVID-19-s.

Izraeli e ndërmori ofensivën e tij ndaj militantëve në Gazë pasi Hamasi hodhi raketa në Jeruzalem dhe Tel Aviv si hakmarrje për përplasjet e policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë al-Aqsa në Jeruzalemin Lindor gjatë Ramazanit.

Me shqetësimin se dhuna mund të dalë jashtë kontrollit, Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një emisar diplomatik në rajon. Përpjekjet për armëpushim nga Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara deri tani nuk kanë ofruar asnjë shenjë përparimi.

"Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjnë çmos për të kontribuar në shmangien e një krize në shkallë të plotë," tha të mërkurën ambasadorja e Norvegjisë në OKB, Mona Juul./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat