SHBA, gjendja e furnizimit me karburant drejt normalizimit

Amerika

SHBA, gjendja e furnizimit me karburant drejt normalizimit

Më: 14 maj 2021 Në ora: 16:54
Kamala Harris dhe Joe Biden

Në SHBA, pas problemeve të furnizimit me benzinë që zgjatën 6 ditë dhe shkaktuan panik në stacionet e karburantit, gjendja po normalizohet.

Benzina po rrjedh përsëri në tubacionin lindor të vendit që ishte paralizuar nga një sulm kibernetik dhe për të cilin fajësohet banda e hakerave rusë të njohur si DarkSide. Dje, Presidenti Joe Biden komentoi nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden u bëri thirrje amerikanëve të mos bien në panik nga mungesat e karburantit si pasojë e sulmit kibernetik kundër Tubacionit Kolonial.

Ai paralajmëroi gjithashtu operatorët e stacioneve të benzinës që të mos manipulojnë çmimet.

“Mos u përpiqni të përfitoni nga konsumatorët gjatë kësaj periudhe. Unë po punoj me guvernatorët e shteteve të prekura për të ndaluar manipulimin e çmimeve kudo që të jetë. Dhe po kërkoj që agjencitë tona federale të jenë të gatshme për të ofruar ndihmë në nivel shtetesh për të monitoruar dhe trajtuar çështjen e çmimeve në stacionet e benzinës. Askush nuk duhet ta përdorë këtë situatë për përfitime financiare,” tha Presidenti Biden.

Ai tha se për shkak të gjatësisë së tubacionit, "efektet nuk do të ndihen menjëherë në stacionet e karburantit. Kjo nuk është si të hapësh e mbyllësh çelësin e dritave,” tha ai.

Kompania Colonial Pipeline u pagoi gati 5 milion dollarë hakerave të premten e kaluar, sipas njoftimeve nga Bloomberg News, i cili tha se në këmbim të pagesës që u bë me kriptomonedha, kompanisë iu dha një mjet për dekriptimin e programeve të saj kompjuterike të paralizuara, i cili nuk funksionoi.

Kompania nuk ka komentuar nëse u ka paguar shpërblim hakerëve.

"Nuk kam asnjë koment," u përgjigj Presidenti Biden kur u pyet nga një gazetar nëse ishte informuar për ndonjë pagesë të tillë.

Tubacioni, me gjatësi 8,850 kilometra, bart rreth 380 milion litra benzinë, naftë dhe karburant në ditë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat