Bie numri i fëmijëve të pashoqëruar në kufirin SHBA-Meksikë

Amerika

Bie numri i fëmijëve të pashoqëruar në kufirin SHBA-Meksikë

Më: 14 maj 2021 Në ora: 20:56
Fëmijët emigrantë të pashoqëruar, të grupmoshës 3-9 vjeç, duke parë televizor në një nga objektet e Partrullës Kufitare në Donna, të shtetit Teksas (30 mars 2021)

Një zyrtar i lartë amerikan i emigracionit u zotua për një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj fluksit të minorenëve të pashoqëruar në kufirin SHBA-Meksikë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, gjatë një dëshmie në Kongres, Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, u tha ligjvënësve se një krizë emigracioni e shfaqur që në fillimet e presidencës Biden është vendosur nën kontroll.

Presidenti Biden rithekson nevojën për një reformë të emigracionit nëpërmjet një takimi të premten me përfitues nga programi DACA, një program që u ofron status ligjor emigrantëve pa dokumenta të sjellë në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.

Zgjatja e këtij programi popullor me publikun amerikan, u miratua më herët këtë vit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe tashmë ka ngecur në Senat, ku palët politike janë njësoj të përfaqësuara. Senatorët republikanë thonë se administrata Biden përballet me një krizë në kufirin SHBA-Meksikë.

“Kriza e sotshme është e paprecedent, shumë më e keqe se ç’ishte vitin e kaluar, dhe madje edhe shumë më keq se në vitin 2019, kur të gjithë e konsideronin një krizë”, tha Senatori republikan Rob Portman.

Administrata reagoi të enjten duke thënë se është rezultat i politikave të epokës Trump.

“I jemi përkushtuar një sistemi emigracioni të rregullt, të sigurtë dhe human. Kemi ndalur pra politikën e administratës së mëparshme për dëbimin e fëmijëve të pashoqëruar. Nuk i refuzojmë më”, tha Alejandro Mayorkas, Sekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Numri i fëmijëve të pashoqëruar në kufi ka rënë nën 500 këtë javë.

“Në muajin mars ishin mbi 5 mijë fëmijë që mbaheshin nga Patrulla Kufitare. Secili prej tyre kalonte mesatarisht 115 orë i ndaluar në mjediset e Patrullës Kufitare. Por deri këtë të martë, ka 455 fëmijë që mbahen nga Patrulla Kufitare; secili qëndron rreth 28 orë. Kjo është një rënie dramatike e numrit të fëmijëve dhe e kohës që ata mbahen”, tha Senatori demokrat Alex Padilla.

Ndalimi i të rriturve në kufirin SHBA-Meksikë është shtuar, por ky numër reflekton përpjekjet e përsëritura të të rriturve pa dokumenta për të kaluar kufirin. Nënpresidentja Kamala Harris është ngarkuar me zgjidhjen e disa prej problemeve rrënjësore të emigracionit, një mision që republikanët thonë se nuk do të jetë i mjaftueshëm.

“Ne nuk mund t'i zgjidhim të gjitha problemet e botës, aq më pak problemet në Amerikën Latine dhe problemet këtu në vendin tonë. A jeni dakord që ne duhet të përqendrohemi në vëzhgimin e kufirit tonë, përfundimin e barrierës kufitare, përdorimin e teknologjisë. Nëse është teknologjia atëherë le ta përdorim, por të merremi me këtë në mënyrë urgjente dhe agresive?", tha Senatori republikan Mitt Romney.

"Senator, jemi vërtet të përqëndruar në sigurimin e kufirit tonë, dhe në fakt përdorimi i teknologjisë është mënyra më efektive, ose një nga më efektivet, për ta bërë këtë - numri një", tha Sekretari Mayorkas.

Buxheti i shtuar për sigurinë e kufirit ka të ngjarë të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje të hartuar për të kaluar propozimin gjithëpërfshirës të reformës së emigracionit të ligjvënësve demokratë të prezantuar në fillim të këtij viti./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat