Pandemia COVID-19, SHBA nën presion për të bërë më shumë në nivel global

Amerika

Pandemia COVID-19, SHBA nën presion për të bërë më shumë në nivel global

Më: 29 maj 2021 Në ora: 19:53
Foto ilustrim

Përpara Ditës Përkujtimore të të Rënëve, Presidenti Joe Biden përshëndeti shifrat e rritura të vaksinimit në vend. Por SHBA-të, akuzohen se nuk kanë bërë sa duhet për të luftuar pandeminë në të gjithë botën dhe tani janë nën presion për të dalë me një strategji globale kundër COVID-19, kur presidenti Biden të takohet me krerët e ekonomive të tjera të përparuara në samitin e G-7, që mbahet në muajin qershor.

Vaksinimi kundër koronavirusit është lehtë për t’u bërë në pjesën më të madhe të Amerikës. Në Nju Jork, për shembull, mund të vaksinohesh në një stacion metroje.

Shkalla e vaksinimit është rritur gjithashtu nga pagesa stimuluese, duke përfshirë dhe llotaritë shtetërore.

Një 22-vjeçare nga Ohajo, fitoi një milion dollarë, vetëm se bëri dozën e parë të vaksinës.

"Unë ndoshta do të investoj pjesën më të madhe të lotarisë", thotë 22 vjeçarja Abbigail Bugenske.

Të premten, Presidenti Joe Biden festoi përparimin e bërë në luftën ndaj koronavirusit.

“Tani, 51 për qind e të rriturve amerikanë janë vaksinuar plotësisht. 75 për qind e të moshuarve janë plotësisht të vaksinuar”, tha Presidenti Biden.

Por administrata zotit Biden është nën presion për të bërë më shumë globalisht në luftën ndaj pandemisë, duke përfshirë edhe nxitjen për një mobilizim më të madh nga ekonomitë kryesore të botës në samitin e G-7, në qershor.

"Do të jetë pak a shumë momenti i parë në këtë fazë të pandemisë, kur vendet e pasura kanë filluar të shohin dritën në fund të tunelit, për të treguar pa mëdyshje se vendet e pasura do të ngrihen dhe do të ndihmojnë në shuarjen e kësaj pandemie globalisht. Nëse ata nuk e bëjnë deklaratën në samitin e G-7, unë mendoj se do të humbnin një mundësi të madhe dhe nuk jam e sigurt se çfarë do të sjellë e ardhmja,” thotë Jenny Ottenhoff- Drejtoreshë e politikave për shëndetin global, “ONE”.

Dalja nga pandemia do të jetë në fokus të samitit të G-7, tha zëdhënësja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki për Zërin e Amerikës në bordin e avionit “Air Force One” këtë javë.

“Ajo që po ndodh tani, është se ekziston një proces i brendshëm politik për të përcaktuar se çfarë veprimesh mund të marrim në një mënyrë të drejtë dhe transparente. E di që të gjithë jeni të etur të dini se ku po shkojnë, cili do të jetë procesi ynë. Është e kuptueshme. Shpresojmë të kemi më shumë informacion së shpejti”.

Shqetësimi kryesor është adresimi i pabarazisë globale të vaksinave. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë vërejtur se deri në fund të qershorit, programi ndërkombëtar COVAX, i krijuar për të shpërndarë vaksinat në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, do të përballet me një mungesë prej 190 milionë dozash.

Kjo vjen për shkak të vonesave të prodhimit të vaksinave nga instituti “Serum” i Indisë, ndërsa ky vend lufton me valën më të rëndë të pandemisë COVID. Bota gjithashtu duhet të bëhet gati për krizën e ardhshme shëndetësore.

“Pandemia tjetër mund të jetë pas disa dekadash, vitesh, muajsh, javësh apo pas disa ditësh. Pra, nëse nuk ndërtojmë tani një proces për secilën pikë të reagimit përfshirë edhe vaksinimin, do të gjendemi të papërgatitur herën tjetër kur të ndodhë një pandemi", thotë zoti Alex Long, nga Qendra "Wilson".

Në fillim të kësaj jave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, vendet duke përfshirë, Shtetet e Bashkuara shtynë deri në nëntor negociatat për të krijuarnjë traktat ndërkombëtar pandemie, që kërkonte angazhimin politik të vendeve për të luftuar pandemitë e ardhshme./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat