Detyrat e vështira të Bidenit në turneun evropian

Amerika

Detyrat e vështira të Bidenit në turneun evropian

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 14:30
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të mërkurën (9 qershor) niset për Evropë, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit.

Turneu i tij tetëditor përfshin një sërë takimesh në kuadër të samitit të G7-s, pastaj bisedime me partnerët evropianë dhe të NATO-s, si dhe një takim ballë për ballë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Përmirësimi i raporteve transatlantike dhe diskutimi i mosmarrëveshjeve me Rusinë pritet të jenë çështjet kyç të kësaj vizite.

Udhëtimi shihet edhe si një provë e aftësisë së presidentit Biden për të menaxhuar dhe përmirësuar raportet me aleatët kyç të SHBA-së, të dëmtuara ndjeshëm gjatë udhëheqjes së paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili e kishte tërhequr SHBA-në nga traktatet ndërkombëtare dhe kishte vendosur tarifa tregtare ndaj aleatëve, raporton Reuters.

Presidenti Biden në një opinion të publikuar në Washington Post, para nisjes për në Evropë ka thënë:

"A do të dëshmojnë institucionet, aleancat demokratike aftësinë e tyre kundër kërcënimeve dhe kundërshtarëve të ditëve moderne? Unë besoj se përgjigjja është po. Dhe këtë javë në Evropë, ne kemi mundësinë ta dëshmojmë atë".

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan u tha gazetarëve se Biden shpresonte që takimet e tij të G7-s dhe NATO-s do të forcojnë një ndjenjë të unitetit mes aleatëve para takimit të tij me Putinin.

"Në samitin e SHBA-BE, presidenti dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të fokusohen në përafrimin e pikëpamjeve ndaj tregtisë dhe teknologjisë në mënyrë që demokracitë dhe jo dikush tjetër, Kina ose autokracitë e tjera, të diktojnë rregullat për tregtinë dhe teknologjinë në këtë shekull", ka thënë Sullivan.

Biden do të bëjë ndalesën e tij të parë në fshatin bregdetar të Shën Ives në Kornuall të Mbretërisë së Bashkuar, ku ai do të marrë pjesë në samitin e G7-s (vendeve më të industrializuara të botës: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Japonia).

Në këtë takim do të diskutohet për pandeminë e koronavirusit, tregtinë, çështjet klimatike dhe një iniciativë për rindërtimin e infrastrukturës në botën në zhvillim.

Zyrtarët amerikanë e shohin këtë si një përpjekje për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të Kinës.

Biden mund të përballet me presion për të bërë më shumë në shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit me vendet e tjera.

Biden do të ketë një takim me kryeministrin britanik, Boris Johnson të enjten në Kornuall, si një mundësi për të forcuar "marrëdhëniet e posaçme", pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Pas tre ditësh të samitit të G7-s, Biden dhe gruaja e tij Jill do të vizitojnë Mbretëreshën Elizabeth në Kështjellën Windsor.

Hera e fundit që 78-vjeçari Biden u takua me Mbretëreshën ishte në vitin 1982, kur ai ushtronte pozitën e senatorit.

Nga atje, Biden do të fluturojë për në Bruksel për samitet me BE-në dhe aleancën ushtarake të NATO-s.

Agjenda e bisedimeve pritet të dominohet nga Rusia, Kina dhe çështja shumëvjeçare në lidhje me kontributet financiare të vendeve aleate ndaj NATO-s.

Një takim i ndjeshëm në kuadër të samitit të NATO-s, pritet të jetë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Biden e ka inatosur Erdoganin, një aleat i Trumpit, duke theksuar situatën e rëndë të të drejtave të njeriut të Turqisë dhe duke njohur gjenocidin e Perandorisë Osmane kundër armenëve. Uashingtoni rrezikon "të humbasë një mik të çmuar", ka paralajmëruar Erdogan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha Kongresit të martën se Turqia shpesh "nuk po vepron siç i takon si një aleat i NATO-s", por Uashingtoni ka "interes të vazhdojë përpjekjen për ta mbajtur Turqinë të afërt me Perëndimin".

Samiti i Bidenit me presidentin rus, Vladimir Putin, më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës, po vlerësohet të jetë si një gurthemel i këtij udhëtimi. Pasi ky takim mund të jetë një mundësi për të ngritur shqetësimet e SHBA-së për sulmet kibernetike, agresionin e Moskës kundër Ukrainës dhe një mori çështjesh të tjera.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk presin shumë nga takimi, megjithatë Shtëpia e Bardhë e sheh zgjatjen e traktatit të ri të armëve bërthamore START, si një shembull se "ku mund të bëhet biznes".

Biden gjithashtu ka nevojë për Kremlinin për të bërë përparim me Iranin, i cili është i afërt me Rusinë.

Lista e tensioneve, megjithatë, është shumë më e gjatë.

Biden fajëson Rusinë për sulmin kibernetik ndaj institucioneve amerikane dhe të paktën strehimin e kriminelëve që qëndrojnë prapa sulmeve kundër tubacionit kryesor të karburantit në SHBA dhe degës amerikane të fabrikës braziliane për përpunimin e mishit - JBS.

Biden gjithashtu do të bëjë presion mbi Putinin në lidhje me situatën në Ukrainë, burgosjen e kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny dhe mbështetjen e Alyaksandr Lukashenkas në Bjellorusi.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se shërbimi me dekada në Senat dhe tetë vjet si nënpresident i SHBA-së, presidenti Biden ka “bërë detyrat e shtëpisë”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat