SHBA do të blejnë 500 milionë vaksina Pfizer për t’i ndarë me vendet e tjera - ndër to edhe Kosova

Amerika

SHBA do të blejnë 500 milionë vaksina Pfizer për t’i ndarë me vendet e tjera - ndër to edhe Kosova

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 22:12
Vaksina e Pfizer-it

UASHINGTON (AP) – Shtetet e Bashkuara do të blejnë 500 milionë doza të tjera të vaksinës Pfizer për COVID-19 për t’i ndarë falas në 92 vende me të ardhura më të ulëta dhe në vendet e Bashkimit Afrikan gjatë vitit të ardhshëm përmes aleancës globale COVAX, tha një person me njohuri mbi këtë çështje.

Presidenti Joe Biden ka në plan ta bëjë njoftimin të enjten në një fjalim para fillimit të takimit të Grupit të Shtatëshes. Dyqind milionë doza - të mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht 100 milionë njerëz - do të ndahen këtë vit, ndërsa pjesa tjetër do të dhurohet në gjysmën e parë të vitit 2022, tha i njëjti burim për agjencinë Associated Press.

Këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve të mërkurën se presidenti Biden ishte i përkushtuar për ndarjen e vaksinave sepse kjo ishte në të mirë të shëndetit publik dhe interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara. Ndërsa Presidenti Biden ndërmori udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, ai po synon të tregojë "se demokracitë janë vendet që mund të japin zgjidhjen më të mirë për njerëzit kudo që ndodhen”.

"Siç tha presidenti në fjalimin e tij në seancën e përbashkët në Kongres, ne ishim"arsenali i demokracisë "në Luftën e Dytë Botërore," tha zoti Sullivan. "Ne do të jemi" arsenali i vaksinave "gjatë kësaj periudhe për të ndihmuar në dhënien fund të pandemisë".

Lajmi për planin e ndarjes së vaksinave Pfizer u konfirmua për agjencinë Associated Press nga një person me njohuri për këtë çështje, i cili foli në kushte anonimiteti përpara njoftimit zyrtar të presidentit. Lajmi u raportua për herë të parë nga gazeta Washington Post.

Njoftimi vjen një javë pasi Shtëpia e Bardhë parashtroi planet e saj për të dhuruar një shumë fillestare prej 25 milionë vaksinash jashtë vendit, kryesisht përmes programit COVAX të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, duke premtuar vaksina për Amerikën e Jugut dhe atë Qendrore, Azinë, Afrikën dhe vende të tjera, ndër to edhe Kosovën, në një kohë mungesash të dukshme të vaksinave jashtë vendit.

Në total, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar planet për të ndarë 80 milionë doza në botë deri në fund të qershorit, shumica përmes programit COVAX. Zyrtarët thonë se një e katërta e dozave të tepërta të vendit do të mbahet rezervë për raste emergjente dhe se SH.B.A. do të ndajnë pjesën tjetër drejtpërdrejt me vendet aleate dhe partnere.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu u ka dërguar doza aleatëve duke përfshirë Korenë e Jugut, Tajvanin dhe Ukrainën.

Globalisht, prej fillimit të pandemisë janë shënuar më shumë se 3.7 milionë vdekje të konfirmuara nga COVID-19 dhe janë infektuar më shumë se 174 milionë njerëz./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat