Studimi: Statura globale e Amerikës përmirësuar ndjeshëm nën Presidentin Biden

Amerika

Studimi: Statura globale e Amerikës përmirësuar ndjeshëm nën Presidentin Biden

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 21:15
Joe Biden

Reputacioni global i Amerikës është përmirësuar ndjeshëm që kur Joe Biden zëvendësoi Donald Trump-in si president, tregon një anketim i ri i Qendrës Kërkimore Pew.

Mbi 60% e shtetasve të pyetur në 16 vendet ku u zhvillua anketimi, transmetuan besimin se Presidenti Biden do "të bëjë atë që duhet" në menaxhimin e sfidave botërore, thuhet në studim.

Anketimi tregon se perceptimi pozitiv për Shtetet e Bashkuara filloi të rimëkëmbet pas një rënieje domethënëse gjatë katër viteve në Shtëpinë e Bardhë të ish-Presidentit Trump.

Vlerësimi pozitiv për Amerikën u rrit me deri në 30% që nga viti i kaluar, në vende aleate, si Gjermania dhe Franca. Pikëpamjet pozitive për Shtetet e Bashkuara arritën vjet në pikën më të ulët në Britani, Japoni dhe Kanada.

Në Francë, perceptimi pozitiv i Amerikës pothuajse është dyfishuar, në 65% krahasuar me 31% nga viti i kaluar, tregojnë të dhënat e studimit. Gjatë secilit prej tetë viteve të Barack Obamas si president, të paktën 6 nga çdo 10 shtetas francezë e shikonin SHBA-në pozitivisht.

Anketimi u publikua një ditë pasi Presidenti Biden mbërriti në Britani për pjesën fillestare të udhëtimit të tij të parë jashtë vendit si president, me qëllim rigjallërimin e staturës globale të Amerikës dhe forcimin e marrëdhënieve me aleatët jetësorë evropianë.

Image

Kryeministri britanik Boris Johnson, bashkëshortja e tij Carrie Johnson dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden me Zonjën e Parë Jill Biden duke ecur së bashku në Cornwall, Angli

Pavarësisht pozitës së përmirësuar globale të Amerikës, sondazhi tregon se shumë nga 16 vendet e anketuara janë skeptike ndaj Shteteve të Bashkuara si një partner ndërkombëtar dhe si një demokraci funksionale.

Shumica në pjesën më të madhe të vendeve thonë se demokracia amerikane "dikur ishte një shembull i mirë, por nuk ka qenë në vitet e fundit".

Vetëm 20% e qytetarëve në të 16 vendet besojnë se SHBA është një aleat "shumë" i besueshëm, ndërsa shumica thonë se është "disi" i besueshëm. Rreth një e treta e qytetarëve në Kanada, Francë, Greqi dhe Spanjë besojnë se SHBA nuk është një partner global i besueshëm.

Nga 12 marsi deri më 26 maj, Qendra Pew anketoi 16 254 persona në moshë madhore në Australi, Belgjikë, Kanada, Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Japoni, Hollandë, Zelandë e Re, Singapor, Spanjë, Suedi, Korenë e Jugut, Tajvan dhe Britani./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat