SHBA, 10 senatorë përpiqen për përparim në projektligjin për infrastrukturën

Amerika

SHBA, 10 senatorë përpiqen për përparim në projektligjin për infrastrukturën

Më: 11 qershor 2021 Në ora: 06:36
Pamje nga takimi

Një grup dypartiak senatorësh po diskuton një propozim të ri për planin e investimeve në infrastrukturë duke parashikuar një shtesë prej 579 miliardë dollarësh, ndërkohë që senatorët përpiqen të arrijnë një marrëveshje me një vlerë prej mbi 1 trilion dollarësh kundrejt propozimit të Presidentit Biden me kosto shumë më të lartë.

10 senatorët kanë zhvilluar takime me dyer të mbyllura, pasi Presidenti Biden u bëri thirrje të vazhdojnë përpjekjet për një propozim të ri. Presidenti e ka refuzuar ofertën e vetme që kishin paraqitur republikanët.

“Grupi ynë me 10 senatorë -- pesë nga secila parti – ka punuar me besim të sinqertë dhe kemi arritur një marrëveshje dypartiake për një kornizë realiste, një kompromis për të modernizuar infrastrukturën dhe teknologjinë energjetike të vendit,” thanë senatorët përmes një deklarate të përbashkët.

“Investimet do të jenë plotësisht të përballueshme për buxhetin, pa pasur nevojë për rritje taksash,” thanë ata. “Po diskutojmë mendimet e secilit prej kolegëve dhe propozimin e Shtëpisë së Bardhë dhe kemi besim se do të marrim mbështetje nga të dyja partitë për të përmbushur nevojat e infrastrukturës së vendit”.

Shtëpia e Bardhë tha se senatorët demokratë informuan Shtëpinë e Bardhë mbi planin që po hartojnë, duke shtuar se ka ende paqartësi që nuk kanë marrë përgjigje.

“Presidenti e vlerëson përpjekjen e senatorëve për të arritur miratimin e investimeve kritike që janë të domosdoshme për të hapur vende pune, për energji të pastër për të ardhmen dhe për të konkurruar në ekonominë globale,” tha një ndër zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se ka ende pyetje që kërkojnë përgjigje si për propozimet, ashtu edhe mënyrat për t’i mbuluar kostot e këtyre investimeve.

Presidenti dhe Kongresi po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për projekte investimesh në infrastrukturë, ndër to riparime rrugësh, urash, dhe projekte të tjera. Senatorët thonë se propozimi i tyre ofron shpresa për miratimin e planit në një Kongres të ndarë thellësisht në vija partiake.

Kostoja e propozimit të tyre është 974 miliardë dollarë për një periudhë pesë vjeçare dhe 1.2 trilionë dollarë në për një periudhë tetë vjeçare, siç kërkon Presidenti Biden. Shuma prej 1.2 trilionë dollarësh përfaqëson një rritje prej 330 miliardë dollarësh mbi propozimin e mëparshëm të republikanëve për 928 miliardë dollarë, por megjithatë nuk i afrohet shpenzimeve prej 1.7 trilionë dollarësh që ka kërkuar Presidenti Biden.

Një ndër pikat që shkaktom më shumë fërkime është mënyra se si do të paguhet kostoja e këtyre investimeve.

Senatori republikan Bill Cassidy, një ndër negociatorët kryesorë, nuk foli për kosto, duke thënë se e kishin diskutuar me presidentin objektivin e ri në shpenzime.

Një tjetër anëtar i grupit, Senatori demokrat Jon Tester tha se janë “mjaft pranë“ shumës së synnuar në diskutimet e tyre, por ende po debatojnë mbi mënyrat si do të paguhet kjo shumë. Një nga propozimet është të përdoren të ardhurat nga taksa të prapambetura të amerikanëve, tha ai.

"Megjithatë, ne duhet të bisedojmë", tha senatori Tester.

Një republikan që nuk ishte pjesë e këtij grupi, senatori Mike Braun nga Indiana, tha se atij i është thënë se paketa do të siguronte gati 1 trilion dollarë, përfshirë 579 miliardë dollarë në shpenzime të reja mbi bazën fillestare për projektet e transportit.

Senatori Braun gjithashtu tha se disa pjesë të planit do të paguhen me fonde të pashfrytëzuara të paketës stimuluese për pandeminë e COVID-19, që është kundërshtuar nga Shtëpia e Bardhë.

"Mendoj se ata kanë dalë me një propozim të ngjashëm me atë të senatores Capito, por me pak më shumë para", tha ai.

Presidenti Biden u kërkoi senatorëve të vazhdonin punën ndërsa ai u nis për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit pasi bisedimet me zonjën Capito dhe senatorët e tjerë republikanë dështuan këtë javë.

Presidenti po kërkon një investim gjithëpërfshirës jo vetëm në rrugë, autostrada dhe ura, por edhe në rrjetin e internetit kabllor, stacionet e karikimit për makinat elektrike dhe aspekte të tjera të asaj që ai i sheh si pjesë të ekonomisë së re, e paguar me një rritje të normës së taksës ndaj korporatave nga 21% në 28%.

Republikanët preferojnë një plan më të fokusuar në riparimin e sistemeve ekzistuese të transportit, me investime më modeste në fusha të tjera. Ata kundërshtojnë çdo rritje të taksave për të paguar për shpenzimet e reja.

Me Senatin e ndarë, 50-50, dhe shumicën e legjislacioneve që kërkojnë miratim me 60 vota për të shmangur mundësinë e bllokimit përmes taktikës së fjalimeve pafund, Presidenti Biden po kërkon një marrëveshje dy-partiake për të siguruar miratimin e një projektligji për infrastrukturën. Në të njëjtën kohë, ai ka udhëzuar demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin që të përgatiten për miratimin e pjesëve të paketës më vete, sipas rregullave të veçanta të buxhetit që mundësojnë miratimin me 51 vota në Senat.

Në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, vota e Nënpresidentes Kamala Harris është përcaktuese.

Ndërkohë, një Komision i Dhomës së Përfaqësuesve avancoi një projektligj të enjten herët që shërben si një bazë e rëndësishme në prëpjekjet për të miratuar një propozim për infrastrukturën. Projektligji synon të rrisë shpenzimet federale për rrugët, urat dhe hekurudhat. Paketa prej 547 miliardë dollarësh u miratua kryesisht në linja partiake me një votim prej 38-26 dhe ka të ngjarë të shqyrtohet nga Dhoma e Përfaqësuesve më vonë këtë muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat