Biden pritet të sigurojë aleatët për angazhimin e SHBA ndaj klauzolës së Natos për mbrojtjen reciproke

Amerika

Biden pritet të sigurojë aleatët për angazhimin e SHBA ndaj klauzolës së Natos për mbrojtjen reciproke

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 06:28
Joe Biden

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) do të diskutojë rishikimin e konceptit të saj strategjik kur udhëheqësit e saj, përfshirë Presidentin amerikan Joe Biden, të mblidhen të hënën në Bruksel.

Aleanca e NATO-s e rishikoi për herë të fundit dokumentin që parashtron qëllimin e saj në vitin 2010. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës, Jens Stoltenberg, kërcënimet dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet aleanca kanë ndryshuar që nga ajo kohë.

“Për shembull, në konceptin aktual strategjik, Kina nuk përmendet me as një fjalë të vetme. Ndryshimi i klimës vështirë se përmendet. Dhe sigurisht, marrëdhënia jonë me Rusinë ishte shumë ndryshe në atë kohë krahasuar me pozicionin ku jemi sot”, u tha zoti Stoltenberg gazetarëve të premten. "Sot, ne jemi në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë në marrëdhëniet tona me Rusinë. Sulmet kibernetike më të sofistikuara, dhe shumë sfida të tjera kanë evoluar gjatë këtyre viteve."

NATO vonoi diskutimet për ndryshim në konceptin e saj strategjik gjatë periudhës kur zoti Donald Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë.

"Evropianët nuk donin të hapnin Kutinë e Pandorës gjatë administratës Trump sepse nuk e dinin se çfarë do të thoshin Shtetet e Bashkuara", tha Dan Hamilton, drejtor i programit për Evropën Globale në Qendrën Wilson.

Trumpi kishte marrëdhënie të tensionuara me udhëheqësit e tjerë të aleancës ushtarake, duke i kritikuar vazhdimisht që të rrisnin buxhetet e tyre të mbrojtjes - "detyrimet" ndaj NATO-s siç i quajti ai gabimisht - dhe duke vënë në dyshim klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s, të njohur si Neni 5.

Të mërkurën e kaluar gjatë një fjalimi para personelit të Forcave Ajrore amerikane dhe familjeve të tyre në Forcën Ajrore Mbretërore Mildenhall në Angli, presidenti Biden tha: "Në Bruksel, unë do ta bëj të qartë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë të NATO-s dhe Nenit 5 është i pandryshueshëm . Është një detyrim i shenjtë që kemi sipas Nenit 5. ”

Zoti Biden mbërrin në Bruksel të dielën përpara takimit të NATO-s, si dhe samitit të së martës me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

Këto diskutime do të zhvillohen përpara takimit të Presidentit Biden të mërkurën në Gjenevë me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, kështu që presidenti amerikan "dëshiron të ketë një përkrahje të fuqishme nga takimi i tij me aleatët e NATO-s", tha zoti Hamilton për Zërin e Amerikës.

Takimi i NATO-s të hënën do të shënojë gjithashtu fundin e operacioneve ushtarake në Afganistan në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar të paktën gjysmën e tërheqjes së tyre nga vendi.

NATO-ja po propozon gjithashtu që ushtritë e vendeve anëtare dhe sektori privat të shohin mundësinë e bashkëpunimit me teknologjitë e zhvilluara si dhe shqyrtojnë zgjerimin e partneritetit me demokraci të ngjashme përtej kufijëve ekzistues, përfshi rajonin e Indo-Paqësorit, mes rritjes së shqetësimeve rreth ekspansionit të Kinës.

"Kjo administratë dëshiron të tregojë, si nga ana retorike ashtu edhe nga përmbajtja, se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm pranë aleatëve evropianë. Por ka ende shumë sfida në marrëdhëniet Trans-Atlantike se si të menaxhojmë dhe të ballafaqohemi me Rusinë dhe Kinën dhe si të trajtojmë COVID-in dhe ndryshimet e klimës”, i tha Zërit të Amerikës, Mark Simakovsky me Këshillin Atlantik.

Sipas analistit Dan DePetris me organizatën Defense Priorities, "Do të ishte me vënd që presidenti të zhvillonte një bisedë të ashpër, por të domosdoshme brenda NATO-s mbi temat që aleanca i ka shmangur në të kaluarën,". "Kjo do të thotë të rivlerësojë - dhe të mbyllë - politikën e dyerve të hapura të NATO-s, e cila në këtë pikë është më shumë një telash për aleancën dhe detyrimet të sigurisë për Shtetet e Bashkuara sesa një përfitim".

I njohur si Neni 10, parimi i dyerve të hapura të NATO-s thotë se çdo vend tjetër mund të ftohet të anëtarësohet në aleancë me miratim unanim, dhe është bërë një pikë grindjeje midis atyre që thonë se parimi promovon stabilitetin organizativ dhe atyre që thonë se rrezikon ta bëjë organizatën të pavolitshme duke kompromentuar ndoshta mandatin e saj.

"Biden duhet gjithashtu të ritheksojë dhe të forcojë vërtet mekanizmat për zgjidhjen e konflikteve dhe dialogut të NATO-s me Rusinë, sjellja e të cilës nuk mund të injorohet ose thjesht të sanksionohet," i tha Zërit të Amerikës analisti DePetris.

Gjithashtu këtë javë në fokus do të jetë edhe interesi i shtuar amerikan për të sjellë Ukrainën dhe Gjeorgjinë në Nato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat