Ekspertët diskutojnë si të shmanget katastrofa në Afganistan

Amerika

Ekspertët diskutojnë si të shmanget katastrofa në Afganistan

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 22:48
Njerëzit mbajnë arkivolin e një punonjësi të shëndetësisë të vrarë nga sulmues të armatosur (Xhalalabad, Afganistan, 15 qershor 2021)

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO po tërheqin forcat nga Afganistani, janë shtuar viktimat në radhët e civilëve, në veçanti në radhët e grave dhe fëmijëve. Me një perspektivë të zymtë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, ekspertët po shqyrtojnë opsionet për të parandaluar katastrofën në vendin e dëmtuar nga lufta.

Ndërsa forcat amerikane dhe ato të NATO-s pritet të largohen nga Afganistani më vonë këtë vit, e ardhmja e këtij vendi është në vëmendjen e shumë njerëzve, përfshirë Presidentin amerikan Joe Biden dhe atë rus Vladimir Putin. Presidenti Biden tha se Putini e pyeti për këtë gjatë takimit në Gjenevë.

"Pyeti për Afganistanin. Tha se shpreson që të jemi në gjendje të ruajmë disi paqen dhe sigurinë, dhe unë i thashë se kjo ka të bëjë shumë me ty. Ai sinjalizoi se ishte i gatshëm të 'ndihmojë', për Afganistanin; nuk po jap më shumë detaje tani...", tha Presidenti Biden.

Me viktimat në radhët e civilëve të rritura me pothuajse 30% në Afganistan, krahasuar me një vit më parë, ekspertët u takuan virtualisht në një forum të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare, me titullin "Parandalimi i Katastrofës në Afganistan".

Një nga folësit, ambasadorja e Afganistanit në OKB, Adela Raz, e kundërshtoi këtë tematikë.

Image
Adela Raz

"E di që po përgatitemi të gjithë dhe po mendojmë për skenarin më të keq. Katastrofa nuk po fryhet aq shumë në Afganistan se sa jashtë tij. Nëse e shohim si një katastrofë, atëherë menjëherë vendosim në pikëpyetje llojin e investimit të bërë gjatë 20 viteve të fundit dhe efikasitetin e tij. Nuk ka katastrofë. Mendoj se është një periudhë sprove shumë e vështirë për ne...", tha ajo.

Ambasadorja Raz tha se investimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në vendin e saj ka sjellë rezultate. Ajo tha se forcat afgane janë tashmë të afta dhe në pararojë të luftës ndaj terrorizmit. Por, ajo theksoi se ata kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme logjistike dhe financiare, në mënyrë që talebanët ta dinë se nuk do ta marrin dot kurrë vendin nëpërmjet forcës.

Disa ligjvënës, ndër ta edhe Ligjvënësi Michael Waltz nga shteti Florida, ende dëshirojnë që Presidenti Biden të lërë atje një kontigjent të vogël të forcave amerikane.

Image
Michael Waltz

"Për të qenë i sinqertë, kam frikë se po bëjmë një gabim strategjik me tërheqjen e plotë nga Afganistani. Kam mbështetur prej kohësh ruajtjen e një kapaciteti të vogël trajnues për të vazhduar punën për kundërterrorizmin me partnerët tanë afganë në fushën e sigurisë kombëtare", tha Ligjvënësi republikan Michael Waltz.

Presidenti Biden thotë se nuk ka zgjidhje ushtarake ndaj konfliktit në Afganistan, por është zotuar të vazhdojë mbështetjen amerikane për popullin e Afganistanit. Ekspertët thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë parasysh kostot humanitare dhe për sigurinë kombëtare dhe të sigurohen që Afganistani të mos përballet me katastrofën pasi të jenë larguar forcat ndërkombëtare. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat