Dhoma e Përfaqësuesve shfuqizon ligjin e vitit 2002 për autorizimin e luftës në Irak

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve shfuqizon ligjin e vitit 2002 për autorizimin e luftës në Irak

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 23:35
Katherine Gypson

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara votoi të enjten me 268 pro dhe 161 kundër për të shfuqizuar një ligj gati 20 vjeçar që u jepte presidentëve amerikanë kompetenca të gjëra për luftën kundër terrorizmit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gypson shumë ligjvënës amerikanë besojnë se kufizimi i këtyre kompetencave është i vonuar.

Gati njëzet vjet pasi Shtetet e Bashkuara filluan luftën në Irak, Autorizimi i Kongresit që i hapi rrugën Presidentit George W. Bush të rrëzonte Saddam Huseinin është tani një hap afër shfuqizimit. Që nga koha e miratimit të tij, tre presidentë amerikanë, nga të dyja partitë, e kanë përdorur atë për të justifikuar angazhimin në një gamë të gjerë konfliktesh.

"Deri më sot, lufta jonë e pafund ka sjellë një kosto prej triliona dollarësh, ka marrë mijëra jetë dhe ka tejkaluar fushën e veprimit që Kongresi synonte", tha ligjvënësja Barbara Lee.

Sipas kushtetutës amerikane, vetëm Kongresi ka autoritetin të shpallë luftë. Por pas sulmeve të 11 shtatorit, ligjvënësit u dhanë presidentëve kompetenca të gjera për të ndërhyrë në konflikte. Autorizimi për Përdorimin e Forcës Ushtarake në fund të fundit dobëson ushtrinë amerikane, thotë një veteran i luftës në Irak.

"Sa më gjatë që ky autorizim të jetë në fuqi, aq më gjatë ne në Kongres po heqim dorë nga detyra jonë morale dhe kushtetuese për të debatuar dhe për të vendosur se kur duhet t'i dërgojmë ushtarët amerikanë në zona të rrezikshme", tha ligjvënësi demokrat Ruben Gallego.

Presidenti Trump e përdori autorizimin e vitit 2002 për të justifikuar sulmin ajror të vitit 2020, në të cilin u vra gjeneralin iranian Qassem Soleimani, një shembull që republikanët thonë se dëshmon nevojën e ligjit.

"Edhe unë kam të njëjtën dëshirë për ta shfuqizuar autorizimin e vitit 2002 dhe atë të vitit 2001 për përdorimin e forcës ushtarake, por kjo duhet të jetë pjesë e një procesi serioz, për t’u siguruar që të ketë autorizime të qarta, që mund të përdoren kundër terroristëve, që ende bëjnë komplote për vrasjen e amerikanëve brenda dhe jashtë vendit", tha ligjvënësi republikan Michael McCaul.

Edhe Senati amerikan pritet të votojë për shfuqizimin e këtij ligji, një vendim që ka mbështetjen e udhëheqjes së demokratëve.

“Lufta në Irak ka mbaruar gati dhjetë vjet më parë. Një autorizim i miratuar në vitin 2002 nuk është më i nevojshëm në vitin 2021”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Por kjo përpjekje do të përballet me kundërshtimin e republikanëve të cilët argumentojnë se procesi është i nxituar.

"Kërcënimet e mëdha që paraqesin ISIS-i, al-Kaida dhe grupet e tjera terroriste janë po aq reale sa kanë qenë më parë. Dhe shfuqizimi i autorizimit për përdorimin e forcës ushtarake, pa rënë dakord më parë për një sërë autorizimesh të reja, do të shkaktonte më shumë pasiguri për ne", tha udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

Më parë këtë javë, Shtëpia e Bardhë mbështeti nismën për shfuqizimin e këtij autorizimi, por gjithashtu u bëri thirrje ligjvënësve që të miratojnë një kornizë të re ligjore që lejon Shtetet e Bashkuara të mbrojnë veten. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat