ShBA nuk do të arrijë synimin e vaksinimit në korrik

Amerika

ShBA nuk do të arrijë synimin e vaksinimit në korrik

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 19:15
SHBA

Shtëpia e Bardhë njoftoi dje se Shtetet e Bashkuara nuk do të arrijnë synimin e Presidentit Joe Biden për të vaksinuar pjesërisht ose plotësisht 70 për qind të të rriturve deri në Ditën e Pavarësisë më 4 korrik. Zyrtarët në ShBA janë përqëndruar në përpjekjet për të bindur amerikanët skeptikë rreth vaksinimit.

Në ShBA, rastet me COVID-19 kanë rënë në vlerat më të ulëta që nga marsi i vitit 2020. Por numrat inkurajues vijnë ndërsa Shtëpia e Bardhë njofton se nuk do të arrihet synimi që në fillim të korrikut të vaksinohen 70 për qind e amerikanëve të rritur. Problemi janë amerikanët e rinj.

“Vendi ka shumë punë për të bërë, në veçanti me 18 deri 26 vjeçarët. E vërteta është se shumë amerikanë të rinj mendojnë se COVID-19 nuk u bën gjë, prandaj kanë më pak interes për t’u vaksinuar”, thotë Jeff Zients, koordinator i Shtëpisë së Bardhë për COVID-19.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se 70 për qind e amerikanëve mbi moshën 30 vjeçare janë vaksinuar pjesërisht ose plotësisht.

Ndërsa Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se javëve të fundit shkalla e vaksinimit është rritur në komunitetet me ngjyrë, ligjvënësit amerikanë thonë se duhet më shumë punë.

“Nuk do të arrijmë synimin në shumë shtete dhe komunitete nëse nuk vazhdojmë të adresojmë hezitimin, keqinformimin dhe çështje tjera që po largojnë amerikanët nga vaksinimi. Duhet të rrisim qasjen dhe të lehtësojmë pengesat që e vështirësojnë vaksinimin e njerëzve, në veçanti të atyre me ngjyrë”, tha Patty Murray, senatore demokrate.

Ndërsa gati gjysma e të krishterëve evengjelistë amerikanë thonë se nuk do ta marrin vaksinën, një teolog u tha ligjvëvësve se hezitimi ka ndikim në të gjithë botën.

“Në nivelin global, kultura evangjeliste amerikane ka ndikim të madh në pjesë të Azisë dhe Afrikës. Ne tashmë po eksportojmë keqinformimin dhe frikën tonë në pjesën tjetër të botës, veçanërisht përmes rrjeteve sociale”, tha Curtis Chang, professor në shkollën Duke Divinity.

Me 20 deri 30 për qind të amerikanëve të rritur të pavaksinuar, zyrtarët në ShBA besojnë se nuk do të ketë valë të katërt të rasteve me COVID në dimër.

“Nuk mendoj se nën këto rrethama mund të kemi situata me 1 mijë vdekje në ditë. Por rreziku ekziston, që nëse këmbëngulja kundër vaksinës vazhdon mund të shohim valë lokale”, tha Dr. Anthony Fauci, drejtor në Institutitin Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive.

Ndërsa ShBA po punon për të shtuar numrin e të vaksinuarve, Shtëpia e Bardhë njoftoi në fillim të javës se vendimi për të ndarë me vendet tjera 80 milionë doza të vaksinës deri në fund të qershorit është duke hasur në vështirësi logjistike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat