SHBA nis zhvendosjen e afganëve që kanë punuar për të

Amerika

SHBA nis zhvendosjen e afganëve që kanë punuar për të

Më: 20 korrik 2021 Në ora: 11:03
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price

Shtetet e Bashkuara do ta sjellin grupin e parë të afganëve që kanë punuar me Qeverinë amerikane në një bazë ushtarake në Virxhinia, në pritje të miratimit të vizave të tyre, tha administrata amerikane.

Grupi përfshin 700 afganë që kanë punuar për forcat amerikane dhe afërsisht 1,800 anëtarë të familjeve të tyre, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

“Këta janë afganë të guximshëm, shërbimi i të cilëve ndaj Shteteve të Bashkuara është certifikuar nga Ambasada në Kabul. Ata kanë përfunduar procese të plota të verifikimit të sigurisë”, tha Price.

Zhvendosjet e para në bazën Fort Lee të Virxhinias do të fillojnë në fund të korrikut.

Sekretari për media i Pentagonit, John Kirby, tha se afganët pritet të qëndrojnë vetëm disa ditë në Fort Lee, përpara se të akomodohen nga Departamenti i Shtetit dhe grupet e ndihmës për refugjatët.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili ka thënë se forcat amerikane do të largohen nga Afganistani deri në fund të gushtit, është nën presionin e Kongresit dhe aktivistëve për të siguruar se afganët që kanë punuar si përkthyes dhe në role të tjera me trupat amerikane, do të kenë mundësi të vendosen në Shtetet e Bashkuara me familjet e tyre.

Shumë afganë kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre me forcat amerikane.

Rreth 20,000 afganë kanë shprehur interesim për të aplikuar për viza të posaçme emigrante, për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara, por shumë prej tyre nuk janë në faza të avancuara të procesit të gjatë të verifikimit, që kërkohet për zhvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat