Republikanët e Senatit bllokojnë fillimin e debatit mbi infrastrukturën

Amerika

Republikanët e Senatit bllokojnë fillimin e debatit mbi infrastrukturën

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 00:21
Ilustrim

Të mërkurën republikanët në Senat bllokuan një lëvizje që synonte të hapte debatin rreth një projektligji dypalësh mbi infrastrukturën, të mbështetur nga Shtëpia e Bardhë, prej 1.2 trilionë dollarësh. Por sipas një prej përfaqësuesve kryesor të republikanëve, partia e tij do të ishte gati të zhvillonte një tjetër votim mbi këtë çështje, të hënën.

Disa javë pasi senatorët e të dyja partive arritën një marrëveshje me Presidentin Joe Biden, mbi vijat e përgjithshme të një projektligji që përfshin 600 miliardë dollarë në shpenzime të reja për të rindërtuar rrugë, ura, porte dhe projekte të tjera infrastrukturore, Senati bllokoi fillimin e debatit në një votim 51 me 49.

Të dyja partitë kanë nga 50 ligjvënës secila në Senatin prej 100 anëtarësh. Që masa legjislative dypalëshe të përparonte do të duheshin votat e të paktën 10 republikanëve për të siguruar 60 votat e kërkuara, siç e parashikon rregullorja e Senatit.

Para votimit, disa republikanë që kanë punuar mbi projektligjin, thanë se ata besonin se çështjet problematike mund të zgjidheshin në fillim të javës së ardhshme dhe se në këtë rast një votim tjetër procedural mund të ishte i suksesshëm.

"Ne do të jemi gati nëse e hedhim në votë të hënën, gjë që unë e pres, por kjo varet nga udhëheqësi (i Senatit)", u tha senatori Mitt Romney gazetarëve.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit, demokrati Chuck Schumer kishte këmbëngulur në mbajtjen e votimit procedural të mërkurën, duke thënë se pas disa javë negociatash mbi detajet, kishte ardhur koha për të filluar debatin në Senat.

Por republikanët kishin kërkuar shtyrjen e tij. Udhëheqësi i pakicës, republikani Mitch McConnell, tha se refuzimi për të filluar debatin të mërkurën nuk do ta dëmtojë përpjekjen.

Disa demokratë liberalë besojnë se republikanët po e zvarrisnin qëllimisht projektligjin me synim përfundimtar kundërshtimin e tij me votë.

Të dyja palët kanë përdorur taktika legjislative zvarritëse në të kaluarën. Republikanët i kanë përdorur veçanërisht ato në përpjekjen për të shfuqizuar programin mbi sigurimin shëndetësor të ashtuajturin Obamacare.

Presidenti Biden e ka konsideruar të domosdoshëm projektligjin dypalësh mbi infrastrukturën. Ai po kërkon gjithashtu që Kongresi të miratojë një iniciativë buxhetore të veçantë, prej 3.5 trilionë dollarësh, e cila do të mundësonte zhvillimin e legjislacionit mbi ndryshimet klimatike dhe të parashikonte shpenzimeve mbi disa sektorë socialë, masa këto që kritikohen nga shumica e republikanëve.

Demokratët duan ta shtyjnë miratimin e masën më të madhe legjislative në Kongres. Ata argumentojnë se qasja me dy hapa, godet bashkëpunimin politik të arritur mbi projektligjin mbi infrastrukturën.

Zoti Schumer shpreson t'i kalonte të dyja masat legjislative në Senat para pushimeve të muajit gusht. Nga ana tjetër vëmendja e dy forcave politike është përqëndruar tek zgjedhjet për Kongresin, që përkojnë me mesin e mandatit të një presidenti, e që mbahen në nëntor të vitit 2022. Ato pritet të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kapitolin, gjatë gjysmës së dytë të mandatit të Presidentit Biden.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat