Vaksinim ose testim i përjavshëm për punonjësit e Qytetit të Nju Jorkut

Amerika

Vaksinim ose testim i përjavshëm për punonjësit e Qytetit të Nju Jorkut

Më: 27 korrik 2021 Në ora: 06:36
Bill de Blasio

Qyteti i Nju Jorkut do t'u kërkojë të gjithë punonjësve të bashkisë, përfshirë mësuesit dhe punonjësit e policisë, të vaksinohen kundër koronavirusit deri në mes të shtatorit ose të përballen me testimin e përjavshëm, njoftoi të hënën kryebashkiaku Bill de Blasio.

Rreth 340,000 punonjës të qytetit pritet të preken nga rregulli. Qyteti i Nju Jorkut është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në SHBA që ndërmerr një veprim të tillë. Ndërsa vaksinimi nuk është i detyrueshëm, asnjë punonjës i sektorit publik nuk do të detyrohet të imunizohet. Zyrtarët shpresojnë që rregullat e reja për testimin çdo javë do të bindin shumë njerëz që të kapërcejnë ngurrimin për t’u vaksinuar.

“Ka të bëjë me rikthimin në normalitet. Kjo ka të bëjë me rikthimin e Qytetin e Nju Jorkut aty ku ka qënë. Ka të bëjë me sigurimin e nju jorkezëve”, tha zoti de Blasio.

Afati i 13 shtatorit përkon me fillimin e shkollës publike. Kryebashkiaku demokrat ka thënë se pret që të gjithë nxënësit të jenë në klasa me kohë të plotë. Punonjësit e kujdesit shëndetësor të qytetit dhe punonjësit shtëpive të pleqve apo burgjeve, do të përballen me një afat kohor më të hershëm.

Masa vjen ndërsa qyteti përballet me një rritje të infeksioneve me COVID-19 të nxitura nga varianti shumë ngjitës Delta. Që nga fundi i qershorit, mesatarja ditore e rasteve të reja është rritur me më shumë se 300%.

Javën e kaluar, bashkia njoftoi se po urdhëronte vaksinimin ose testimet javore për punonjësit e sistemit spitalor të qytetit. Zoti De Blasio u kërkoi të hënën dhe punëdhënësve të sektorit privat që të miratojnë rregulla të ngjashme.

“Mesazhi im për sektorin privat është: Bëni aq sa të mundeni për momentin. Unë do të nxisja me forcë një vaksinim të detyruar në rastet e mundshme”, tha zoti de Blasio.

Numri ditor i vaksinimeve në atë qytet ka rënë në 18 000 doza në ditë nga më shumë se 100 000 në fillim të prillit. Rreth 65% e të rriturve në atë qytet janë vaksinuar plotësisht.

Ndërkohë, prej disa javësh janë shtuar infektimet. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se 7 nga 10 rastet e reja rezultojnë të jenë infektuar me variantin Delta.

Zoti de Blasio ka thënë se nuk planifikon të urdhërojë përdorimin masiv të maskave në ambjentet e brendshme publike, siç është vepruar në qytetin Los Axhelos.

Përdorimi i maskave kërkohet në disa mjedise, siç është edhe transporti publik. Zoti de Blasio tha se punonjësit e sektorit publik që nuk janë vaksinuar duhet të përdorin maska në ambajentet e brendshme gjatë gjithë kohës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat