Shtetet e Bashkuara zgjerojnë programin për refugjatët afganë

Amerika

Shtetet e Bashkuara zgjerojnë programin për refugjatët afganë

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 18:28
“Mijëra” afganë dhe familjet e tyre të ngushta tani do të kenë mundësinë të zhvendosen përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara si refugjatë

Të hënën administrata e Presidentit Biden zgjeroi përpjekjet e saj për të evakuuar qytetarët e rrezikuar afganë nga vendi, ndërsa shtohet dhuna nga talebanët para tërheqjes ushtarake amerikane në fund të muajit.

Departamenti i Shtetit tha se po zgjeron kategorinë e afganëve që kanë të drejtë të përfitojnë statusin e refugjatit në Shtetet e Bashkuara. Në këto kategori mund të përfshihen punonjësit aktualë dhe të mëparshëm të organizatave mediatike me qendër në Shtetet e Bashkuara, agjencive amerikane të ndihmave dhe zhvillimit, si dhe grupet e tjera që marrin financime nga Shtetet e Bashkuara.

Në program përfshihen edhe punonjësit dhe ish-punonjësit e qeverisë amerikane dhe të operacioneve ushtarake të NATO-s që nuk i plotësonin kritetet e një programi të mëparshëm për punonjës të kësaj kategorie.

Sidoqoftë, kjo përpjekje kërkon që aplikantët duhet të zhvendosen në një vend të tretë për të filluar procesin, që mund të zgjasë 12-14 muaj dhe se Uashingtoni nuk ka në plan të mbështesë zhvendosjet apo qendrimin e këtyre individëve në vendet e treta.

Departamenti i Shtetit tha se masa nënkupton që “mijëra” afganë dhe familjet e tyre të ngushta tani do të kenë mundësinë të zhvendosen përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara si refugjatë. Qeveria amerikane nuk ka cituar një numër specifik të atyre që mund të kenë të drejtë të përfitojnë nga programi.

“Objektivi i Shteteve të Bashkuara mbetet për një Afganistan paqësor dhe të sigurt”, thuhet në deklaratë. “Megjithatë, mes rritjes së nivelit të dhunës nga talebanët, qeveria amerikane po punon për t'u ofruar disa afganëve të caktuar, përfshirë ata që punuan me Shtetet e Bashkuara, mundësinë për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara nën statusin e refugjatit.

Programi i ri amerikan i pranimit të refugjatëve bëhet për afganët dhe familjet e tyre që “mund të jenë në rrezik për shkak të lidhjeve të tyre me Shtetet e Bashkuara”, por nuk janë në gjendje të pajisen një “Vizë Speciale Imigrimi”, sepse nuk kanë punuar drejtpërdrejt për qeverinë amerikane, ose nuk kanë punuar në të kaluarën me qeverinë amerikane.

Për t'u kualifikuar për këtë kategori, shtetasit afganët duhet të propozohen nga një agjenci qeveritare amerikane, ose nga drejtuesi më i lartë amerikan i një institucioni mediatik amerikan, ose organizate joqeveritare.

Grupi i parë i aplikantëve të vizës speciale afgane, shumica prej të cilëve shërbyen si përkthyes, ose bënë punë të tjera për trupat, ose diplomatët amerikanë dhe kaluan verifikimet e sigurisë, mbërritën të premten në Shtetet e Bashkuara. Grupi prej 221 personash janë mes 2,500 individësh që do të sillen në Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve në vijim.

4,000 aplikantë të tjerë të kësaj kategorie dhe familjet e tyre, të cilët ende nuk i kanë kaluar verifikimet e sigurisë, pritet të vendosen në vendet e treta para përfundimit të tërheqjes amerikane nga Afganistani. Rreth 20,000 afganë kanë shprehur interes për programin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat