Prokurorja e Nju Jorkut: Guvernatori Cuomo ka ngacmuar shumë gra, ka shkelur ligjet

Amerika

Prokurorja e Nju Jorkut: Guvernatori Cuomo ka ngacmuar shumë gra, ka shkelur ligjet

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 19:58
Guvernatori Andrew Cuomo

Prokurorja e përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, Letitia James tha të martën se një hetim ndaj guvernatorit Andrew Cuomo gjeti se ai kishte kryer ngacmime seksuale ndaj shumë grave dhe kishte shkelur ligjet federale dhe ato shtetërore.

Në mënyrë të veçantë, hetimi zbuloi se Guvernatori Andrew Cuomo ka ngacmuar seksualisht punonjës të tanishëm dhe të mëparshëm të Shtetit të Nju Jorkut,duke përfshirë prekje të padëshiruara, si dhe duke bërë komente të shumta fyese", tha prokurorja James.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga zyra e Guvernatorit Cuomo. Në të kaluarën, 63 vjeçari Cuomo i ka mohuar akuzat për sjellje të papërshtatshme.

Hetuesit biseduan me 179 persona gjatë hetimit pesë-mujor, duke përfshirë persona që tashmë kishin bërë ankesa për këtë çështje, dhe anëtarët aktualë dhe të mëparshëm të personelit të dhomës ekzekutive, tha prokurorja James.

 

Image
Prokurorja e përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, Letitia James

Ajo shtoi se hetimi rezultoi në një situatë "thellësisht shqetësuese, por të qartë" të asaj që ajo e quajti "vend pune toksik" dhe një "mjedis frike" në të cilin zoti Cuomo ngacmonte seksualisht shumë gra, shumë prej tyre të reja, "duke përfshirë prekje të padëshiruara, puthje, përqafime dhe komente të papërshtatshme".

Njoftimi vjen pas një hetimi disa mujor që filloi në mars pasi dy ish ndihmëse akuzuan guvernatorin demokrat për ngacmim seksual në vendin e punës. Disa gra të tjera më pas dolën me akuza për sjellje të pahijshme, duke i dhënë nxitje një skandali që ka rrezikuar administratën e guvernatorit Cuomo dhe të ardhmen e tij politike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat