Meksika ngre padi ndaj kompanive amerikane të armëve

Amerika

Meksika ngre padi ndaj kompanive amerikane të armëve

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 19:05
Meksikë

Qeveria meksikane ka ngritur padi ndaj kompanive amerikane prodhuese dhe shpërndarëse të armëve të zjarrit. Padia e paraqitur në një gjykatë federale amerikane argumenton se këto kompani ndjekin praktika neglizhente dhe të paligjshme tregtare që kanë rezultuar në një situatë kasaphane në Meksikë.

Ndër ata që përmenden në aktpadinë e paraqitur në Boston janë emrat më të mëdhenj të prodhimit të armëve si Smith & Wesson; Barrett; Glock dhe Beretta. Një tjetër i akuzuar është kompania e shitjes me shumicë të armëve, Interstate Arms, e cila operon në zonën e Bostonit dhe shet produkte nga thuajse të gjitha kompanitë e përmendura në akuzë.

Kompanitë e akuzuara nuk iu përgjigjën kërkesës për komente.

Qeveria meksikane argumenton se këto kompani janë të vetëdijshme se praktikat e tyre kontribuojnë në trafikun e armëve drejt Meksikës dhe e ndihmojnë atë. Meksika ka kërkuar kompensim për kaosin dhe gjakderdhjen që kjo situatë ka shkaktuar në vend.

Sipas statistikave të qeverisë meksikane, 70% e armëve të trafikuara në Meksikë janë sjellë nga Shtetet e Bashkuara dhe se vetëm në vitin 2019 të paktën 17,000 vrasje ishin lidhur me këto armë që e kishin origjinën nga kontrabanda ndërkufitare e armëve.

Shoqata që përfaqëson kompanitë e prodhimit të armëve e quajti padinë të pabazë. “Qeveria meksikane është vetë përgjegjëse për krimin dhe korrupsionin që kanë dalë jashtë kontrollit në vend,” tha një zyrtar i shoqatës.

Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje shifrat që ka paraqitur qeveria meksikane lidhur me numrin e armëve të sjella nga Shtetet e Bashkuara dhe të gjetura në skena krimesh, duke thënë se në realitet ato përbëjnë vetëm një përqindje të vogël të totalit të përdorur në vrasje e krime të tjera.

Sipas një jurisiti, në fillim të viteve 2000 rreth 30 qytete amerikane ngritën padi të ngjashme ndaj prodhuesve të armëve duke argumentuar se po ndesheshin me kosto të larta për ruajtjen e rendit, shtrimet në spitale dhe probleme të tjera të shkaktuar nga dhuna me armë.

Pasi gjykatat dolën me vendime në dëm të industrisë së armëve, këto kompani i kërkuan Kongresit një status imuniteti nga paditë gjyqësore. Por juristi nuk beson se imuniteti ka vlerë kur flitet për dëme të shkaktuara jashtë Shteteve të Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat