Si u bënë milionere në SHBA dy motra nga Libani

Amerika

Si u bënë milionere në SHBA dy motra nga Libani

Më: 19 gusht 2021 Në ora: 22:43
Motrat Rosy dhe Donna Khalife

Motrat Rosy dhe Donna Khalife mbërritën në mesin e viteve 1980 në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjet e tyre për t’i shpëtuar konfliktit në Liban. Pasi përfunduan studimet në kolegj, ato krijuan një shërbim që i inkurajon fëmijët të lënë mënjanë mjetet elektronike dhe të angazhohen në botën reale. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Moskalkov, vlera e kompanisë së tyre të vogël u rrit me shpejtësi në miliona dollarë.

Rosy Khalife është sot një sipërmarrëse e suksesshme dhe konsulente biznesi. Por ajo dhe familja e saj patën një fillim të vështirë në Amerikë, pasi emigruan nga vendi i tyre, Libani, në mesin e viteve 1980.

“Nëna ime hapi zarfin dhe tha: ‘Urime! Keni fituar llotarinë amerikane!’. Dhe nga ai moment, e tërë jeta jonë ndryshoi vërtet. Jemi katër vetë dhe të gjithë përfunduam kolegjin... Vëllai im është jurist, Donna u pranua në Shkollën e Biznesit të Harvardit...”, tregon Rosy Khalife.

Megjithatë, jeta e tyre në Shtetet e Bashkuara filloi në një apartament të vogël. Fëmijët flinin në dyshekë ajri. Rosy thotë se familja u bashkua edhe më shumë gjatë atyre viteve të vështira.

“Ishte thjesht një jetë emigrantësh. Bënim çfarë mundeshim për t’ia dalë mbanë. Babai im bënte dy punë. Nëna ime bënte dy punë... Sapo patën mundësinë edhe fëmijët filluan punën. Të gjithë në punë për të ndërtuar jetën”, thotë Rosy.

Babai i saj është artist. Duke mos patur mundësinë për t’u blerë lodra, ai pikturonte për t’ua bërë ditën më të bukur fëmijëve. Krijimtaria e tij e frymëzoi Rosyn dhe motrën e saj Donnan të themelonin biznesin “Surprise Ride”.

“Ai krijonte projekte për të na shkëputur nga e përditshmja, për të na mësuar gjëra të reja, për të eksperimentuar së bashku. Kjo ishte vërtet arsyeja për projektin ‘Surprise Ride’. Kuptuam se fëmijët sot qëndrojnë vetëm përpara ekraneve dhe u mungon kjo mundësi krijimtarie që është kaq e vlefshme”, tregon Rosy.

Biznesi funksionon me abonentë. Çdo muaj, kompania dërgon një pako me një projekt surprizë për fëmijët.

Ideja e tyre u përzgjodh ndër mijëra të tjera për t’u prezantuar në një emision popullor televiziv, “Shark Tank”.

Megjithëse sipërmarrëset e reja ua prezantuan projektin e tyre investitorëve gjatë emisioni televiziv ato nuk ranë dakort për një financim.

“Nuk ishim të sigurta nëse biznesi ynë do të mbijetonte. Nuk ishim të sigurta nëse kishim kapitalin e duhur; nuk kishim këshilltarët e duhur... Pothuajse u penduam që nuk pranuam një marrëveshje financimi. Por pastaj thjesht u kthyem në zyrë dhe vazhduam punën”, thotë Donna Khalife.

Sidoqoftë, dalja e tyre në televizion mundësoi rritjen e shitjeve.

Motrat bënë një xhiro mbi një milion dollarë brenda vetëm një fundjave. Në vazhdim bashkëpunuan me një tjetër investitor dhe filluan edhe shitjen në dyqane.

Në vitin 2021, ato vendosën ta shesin kompaninë për të vazhduar me diçka të re.

“Pasi e rritëm kompaninë duke arritur miliona dollarë shitje dhe mijëra klientë dhe pasi e shitëm, kemi ndjesinë e një përgjegjësie të shtuar për të kontribuar për gratë sipërmarrëse dhe emigrantët që kanë nevojë të dinë se si të krijojnë kapitalin dhe rrisin biznesin e tyre”, thotë Donna.

Motrat Khalife përgatisin tashmë seanca informimi për investitorët dhe i këshillojnë klientët nëpërmjet telefonit. Ato po krijojnë edhe një organizatë jofitimprurëse për t’u krijuar hapësira sipërmarrësve të rinj./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat